... Nami.al

“Balluku duhet të ishte pas hekurave, jo në palestër”, Bardhi sulmon SPAK-un pas investigimit të “Fiks Fare”

“Balluku duhet të ishte pas hekurave, jo në palestër”. Kështu është shprehur kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, teksa ka reaguar pas investigimit të emisionit “Fiks Fare” për mënyrën se si Belinda Balluku, edhe pas shkarkimit, vijon të ushtrojë ndikim mbi Ministrinë e Infrastrukturës dhe institucionet e varësisë.

Bardhi pretendon se, pavarësisht hetimit të SPAK-ut ndaj Ballukut, ajo vijon të ketë ndikim mbi punësimet, tenderat dhe koncesionet.

“Belinda Balluku, për shkak se ka marrë peng Edi Ramën, vazhdon të qeverisë de facto Ministrinë e Infrastrukturës dhe institucionet e saj të varësisë”, deklaroi Bardhi.

Ai ka drejtuar kritika të forta ndaj SPAK-ut, duke pretenduar se kanë kaluar rreth 20 ditë nga publikimi i të dhënave të reja lidhur me hetimin ndaj Ballukut.

“Është e paimagjinueshme për një shtet ligjor që një person me 14 akuza penale të shëtisë lirshëm dhe madje të gjejë kohë edhe për palestër”, theksoi Bardhi.

Deklarata e Gazment Bardhit: 

Dje, një investigim i emisionit “Fiks Fare” nxori sheshit atë që të gjithë e dinin. Belinda Balluku, për shkak se ka marrë peng Edi Ramën, vazhdon të qeverisë de facto Ministrinë e Infrastrukturës dhe institucionet e saj të varësisë. Ajo vazhdon të vendosë kush punësohet, kush fiton tendera dhe kur jepen koncesione.

Shefja e Ramës dhe Karakaçit, Belinda Balluku, nuk duhet të ishte duke shkuar në palestër, por pas hekurave.

Për fat të keq, edhe pse SPAK-u ka 20 ditë që ka bërë publike të dhëna të reja për marrjen e saj nën hetim për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ende nuk ka zbatuar ligjin për burgosjen e saj. Është e paimagjinueshme për një shtet ligjor që një person me 14 akuza penale të shëtisë lirshëm dhe madje të gjejë kohë edhe për palestër.

SPAK-u duhet të zbatojë ligjin. SPAK-u duhet të zbatojë standardin që vetë vendosi në dhjetor 2025. SPAK-u nuk mund t’u thotë shqiptarëve se, kur ndaj Belinda Ballukut rëndojnë 6 akuza, ajo duhet të shkojë në burg, ndërsa kur rëndojnë 14 akuza, duhet të shkojë në palestër. Kjo është thjesht e papranueshme!

Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Shqiptarët meritojnë një drejtësi që nuk njeh të paprekshëm. Opozita kërkon vetëm një gjë: zbatimin e ligjit, me të njëjtin standard për këdo, pa përjashtim. Sepse në një shtet ligjor, pushteti nuk duhet të jetë mburojë dhe askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.