... Nami.al

Arrestohet në Krujë i shumëkërkuari Ylli Zalla

Ylli Zalla është arrestuar, ka bërë me dije Ministria e Brendshme.

Përmes një njoftimi, bëhet me dije se operacioni është organizuar nga forcat RENEA, Policia e Krujës, Tiranës dhe ‘Operacionalja.’

Zalla ishte fshehur në një banesë tjetër në afërsi të shtëpisë së tij në Zallë të Fushë-Krujës. Në momentin e arrestimit, i shumëkërkuari ka qenë i armatosur me kallashnikov e fishekë.

Një ditë më parë, atij iu vendos tritol në banesë, çka bëri që makina e tij, tip ‘Benz’, të shkrumbohej.

Për ngjarjen e një dite më parë, policia u njoftua nga bashkëshortja e Zallës që ndodhej në Itali, ndërsa mbetet e hapur pista që autori të jetë vetë ai.

Kush është Ylli Zalla?

Ylli Zalla rezulton në kërkim që prej nëntorit 2025, kur në banesën e tij u zbulua arsenal armësh, pas hetimeve lidhur me atentatin në Rinas. Zalla dyshohet si bashkëpunëtor në atentatin e nëntorit 2025 ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, akuza të cilat nuk u vërtetuan asnjëherë.

Ndërkohë 12 vjet më parë, Ylli Zalla është arrestuar për prodhim të bombave artizanale dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad. Vite më parë ai kishte kërcënuar me jetë edhe pronarin e një kompanie çimentoje në Fushë Krujë.

Njoftimi i Ministrisë

Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. 

Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.

Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë dhe tashmë është arrestuar nga Policia e Shtetit.