...
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka deklaruar se Izraeli duhet të kryejë “30 deri në 40 vrasje të synuara” çdo natë në Gaza dhe të rikthejë vendbanimet hebraike në territorin palestinez.
Ben-Gvir, një figurë e së djathtës ekstreme izraelite, tha se nuk është dakord me vendimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të ulur intensitetin e operacioneve ushtarake në Gaza, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqen të çojnë përpara një plan paqeje për territorin.
“Duhet të kryejmë 30 deri në 40 vrasje të synuara çdo natë”, tha ai në një intervistë.
Ben-Gvir kërkoi gjithashtu rikthimin e vendbanimeve hebraike në Gaza dhe nxitjen e largimit të palestinezëve nga territori. Ai tha se e imagjinon të gjithë Gazën nën kontrollin e Izraelit dhe u shpreh në favor të masave më të ashpra ndaj militantëve të Hamasit.
Deklaratat vijnë pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku, sipas autoriteteve izraelite, u vranë rreth 1 200 persona dhe më shumë se 250 u morën peng.
Izraeli nisi më pas një ofensivë të gjerë në Gaza.
Sipas autoriteteve palestineze, më shumë se 73 mijë persona janë vrarë që prej fillimit të luftës, ndërsa territori është përballur me një krizë të rëndë humanitare.
Deklaratat e Ben-Gvir kanë shkaktuar reagime të forta edhe për shkak të qëndrimeve të tij të mëparshme ndaj palestinezëve dhe kërkesave për masa më të ashpra në burgjet izraelite.
Në të njëjtën intervistë, ish-pengmarrësi Rom Braslavski kërkoi që personat e dënuar me vdekje për akte terroriste të ekzekutohen. Ben-Gvir u shpreh se do të bëjë gjithçka për ta realizuar këtë kërkesë.