... Nami.al

Zjarret në Patos dhe Krujë, flakët nën kontroll por vatrat vijojnë aktive. Nis ndërhyrja nga toka dhe ajri

Pas një nate kritike për banorët e fshatit Drenie të Patosit, ku flakët dolën jashtë kontrollit dhe iu afruan banesave, situata këtë mëngjes paraqitet nën kontroll.

Vatra e zjarrit vijon të jetë aktive, por aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat. Rreth 30 forca zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve.

Ndërkohë, vijon prej pesë ditësh beteja me zjarrin në zonën mbi lagjen Abaze në Krujë, pranë vendit të quajtur Kroi i Madh.

Vatra mbetet aktive dhe për shuarjen e saj po ndërhyjnë dy helikopterë, forcat zjarrfikëse dhe banorë të zonës.

Pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme nga toka dhe ajri, zjarri në Krujë është riaktivizuar disa herë pasi është menduar se ishte shuar plotësisht.

Trashësia e madhe e humusit në këtë zonë ka favorizuar ruajtjen e prushit në brendësi të tokës, duke bërë që flakët të rishfaqen.