...
Mbërrin në gjykatë Kristian Sterjo, 20-vjeçari, i cili akuzohet për vrasjen e Johan Zukos, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë në lagjen nr.14 në Korçë.
Sterjo, ndaj të cilit do të zhvillohet në gjykatën e Korçës seanca për caktimin e masës së sigurisë, është sjellë nën masa të shtuara sigurie.
I riu akuzohet për veprën penale vrasje me paramendim si dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 8 gushtit në Korçë, ku 20-vjeçari Joan Zuko u qëllua me armë zjarri pranë banesës së tij. Sipas raportimeve, Zuko dhe Sterjo njiheshin prej vitesh dhe ishin shokë fëmijërie.
Pas krimit, Sterjo u largua nga vendngjarja dhe u shpall në kërkim. Policia e arrestoi disa orë më vonë, ndërsa arma e dyshuar e krimit u gjet e fshehur në zonën e njohur si “Fusha e Druve”.
Sipas dëshmisë së dhënë nga Sterjo gjatë hetimeve, konflikti mes dy të rinjve kishte nisur për shkak të një vajze. Ai ka pretenduar se i kishte kërkuar Zukos të mos e ngacmonte shoqen e tij dhe se ditën e ngjarjes, pas një përplasjeje mes tyre, kishte shkuar në banesë, kishte marrë armën dhe ishte drejtuar për në lagjen ku banonte Zuko. Këto janë pretendime të përfshira në dëshminë e të dyshuarit dhe mbeten objekt i hetimit.
Në dëshminë e tij, Sterjo ka deklaruar gjithashtu se pas të shtënës është larguar drejt “Fushës së Druve”, ku ka fshehur armën, dhe më pas është larguar nga zona.
Joan Zuko kishte qenë më herët pjesë e akademisë së futbollit të Skënderbeut, ndërsa më pas ishte bërë tifoz i klubit korçar.
Ndërkohë, mediat kanë raportuar se Sterjo ishte arrestuar edhe më parë për plagosje me thikë.