...
Një aksident zinxhir është regjistruar në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku gjashtë automjete janë përfshirë në përplasje. Nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas policisë, një 50-vjeçar, i identifikuar si Dhimitër Papa, dyshohet se ka humbur kontrollin e automjetit dhe ka përplasur një mjet tjetër, duke shkaktuar më pas përfshirjen në aksident të disa automjeteve të tjera.
Pas mbërritjes në vendngjarje, shërbimet e Policisë i kanë kërkuar drejtuesit të kryente testin e alkoolit. Ai ka refuzuar t’i nënshtrohet testimit.
Për këtë arsye, 50-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e aksidentit.