... Nami.al

Berisha: E trajtoi protestën si llogore lufte me dhunë policore, por revolta nuk po shuhet!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër qeverinë e Edi Ramës, duke akuzuar kryeministrin se ka përdorur shumicën parlamentare për të miratuar vendime në favor të oligarkëve dhe interesave private.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u ndal te vendimi për financimin e koncertit të Kanye West, duke pretenduar se qeveria përdori paratë e qytetarëve shqiptarë për t’ia dhënë një miliarderi.

“Edi Rama përdori kartonët e tij për të votuar në parlament dhuratën e parave që u grabiti pensionistëve dhe qytetarëve shqiptarë, për t’ia dhuruar miliarderit Kanye West”, u shpreh Berisha, duke e cilësuar koncertin si një përpjekje për të zbehur protestën qytetare që vijon prej javësh.

Sipas kreut të PD-së, qeveria ka përdorur edhe dhunë ndaj protestuesve paqësorë, duke akuzuar policinë për përdorim të lëndëve kimike dhe mjeteve të rënda gjatë përballjeve me qytetarët.

“E trajtoi protestën si një llogore lufte, duke përdorur dhunë policore, por dallgët e kësaj lëvizjeje jo vetëm që nuk po shuhen, por po bëhen gjithnjë e më tronditëse për Edi Ramën dhe regjimin e tij”, deklaroi Berisha.

Berisha iu referua edhe deklaratave të Ramës për luftën kundër korrupsionit, duke thënë se ato janë të pavërteta dhe se historia e tranzicionit shqiptar ka pasur zyrtarë të lartë të dënuar për korrupsion.

Berisha: Java që lamë pas ishte një javë e nxehtë. Këtë javë, Edi Rama përdori forcën e kartonave të tij të krimit për të votuar në parlament ligje dhe amendime të kodit civil, të kodit detar, me të cilat ai mbështet fuqishëm oligarkët dhe interesat e tij kriminale.

Edi Rama përdori kartonat e tij të krimit për të votuar në parlament dhuratën e parave që u grabiti pensionistëve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë dhe për t’ua dhuruar ato miliarderit Kanye Ëest.

Në një koncert që synonte mbi të gjitha një sfumim apo zhurmim të kryengritjes paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria që nga vitet ’90.

Përveç kësaj, ai përdori dhunën më të egër, lëndët helmuese, djegëse, kimike njëlloj si ato që përdoren në llogoret e luftës kundër armiqve, i përdori ndaj protestuesve paqësorë të protestës rinore qytetare.

Por, duhet theksuar se dallgët e kësaj lëvizje jo vetëm që nuk po shuhen, por po bëhen gjithnjë e më tronditëse për Edi Ramën dhe regjimin e tij.

Miq, ju që e ndoqët dje në Pallatin Presidencial, ju patë aty një dyfytyrësh, një cinik dhe një njeri të falimentuar.

Një njeri që injoroi de facto totalisht kërkesat e ligjshme të protestuesve që po bëhen prej dy muajsh.

Kërkesat më themelore të kësaj proteste janë pesë pikat, nga të cilat e para është, Edi Rama jep dorëheqjen të parevokueshme, të panegociueshme.

Nuk ka kërkesë më legjitime se Edi Rama nuk është kryeministër legjitim.

Edi Rama është instaluar në pushtet nga zgjedhjet e plaçkitura, të vërtetuara tashmë nga të gjithë raportet ndërkombëtare.

Edi Rama qëndron në pushtet pasi kanë vjedhur qindra e qindra milionë euro së bashku me Lubi Ballukun dhe e mbrojti atë për të mbrojtur veten e tij në një akt të paprecedent.

Dhe në një shkallë të plotë papërgjegjësie u thoshte dje se në 100 vitet e fundit, nuk është dënuar ndonjë zyrtar për korrupsion, paçka se vetëm 30 vitet e fundit, dy ish-kryeministra socialistë kanë bërë burg për veprën penale të korrupsionit.

Por kur nuk ke turp, bën çdo gjë dhe thua çdo gjë.