...
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka mbërritur këtë mëngjes në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë për gjyqin ndaj prokurorit Ols Dado, ku Veliaj pretendon se Dado është zgjedhur në kundërshtim me ligjin.
Në këtë proces gjyqësor, palë të tjera janë edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Presidenca e Republikës. Ndërkohë, janë zhvilluar disa seanca dhe çështja ndodhet në fazën fillestare, ku pritet nëse Veliaj, nëpërmjet mbrojtësit të tij Plarent Ndreca, do të arrijë të legjitimohet për të vijuar këtë padi.
Në fokus të seancës ishte edhe kërkesa e “Asociacionit Kombëtar të Medias dhe Drejtësisë” për t’u pranuar si palë në procesin gjyqësor.
Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, kërkoi që gjykata të pranojë shoqatën, duke argumentuar se çështja ka interes të gjerë publik. Sipas tij, vetë shoqata ka ngritur shqetësime edhe për statusin ligjor të prokurorit Ols Dado dhe lidhjen e tij me çështjen e 21 Janarit.
“Kur statusi i një prokurori kontestohet si i paligjshëm, nuk kemi të bëjmë thjesht me kuriozitet publik, por me të drejtën për informim. Pranimi i kësaj kërkese nuk do ta ngarkonte gjykimin, por do ta bënte atë më të plotë. Shoqata nuk do të cenonte të drejtat e palëve për mbrojtje. Sipas nesh, dekreti i emërimit të z. Dado është i pavlefshëm”, deklaroi Ndreca, duke i kërkuar gjykatës pranimin e kërkesës.
Nga ana e tij, Erion Veliaj tha se në proces po krijohet një “asimetri”, duke pretenduar se institucione si Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Avokatura e Shtetit nuk po marrin pjesë në gjykim.
“Është evidente që po krijohet asimetri. Ose KLP nuk tregon respekt për këtë gjykatë, ose ka kuptuar atë që di gjithë Shqipëria, që Ols Dado nuk është prokuror dhe kryebashkiaku është arrestuar. Mandati i kryetarit të bashkisë nuk mund të trajtohet si plaçkë. Dikush ka veshur uniformën e shtetit dhe më ka rrëmbyer nga zyra”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se vendimi i gjykatës do të ketë ndikim në besimin e qytetarëve te drejtësia.
“Nëse më rrëmbyen mua, mund të rrëmbejnë këdo tjetër. Është pesha e këtij gjykimi që duhet të rikthejë besimin te drejtësia. I mungoj shumë familjes sime në ditët më të vështira dhe i mungoj edhe bashkisë sime që e lash ndryshe. Kushdo palë që tregon interes, kontribuon në këtë gjykim. Do të kërkoja që shoqata të pranohet”, deklaroi kryebashkiaku.
Gjykata pritet të vendosë lidhur me kërkesën për pranimin e “Asociacionit Kombëtar të Medias dhe Drejtësisë” si palë në proces.
Avokati i Ols Dados ka kundërshtuar kërkesën e shoqatës për ndërhyrje në proces, duke argumentuar se provat e paraqitura nuk justifikojnë përfshirjen e saj si palë.
“Kemi një akt administrativ individual. Provat që u dorëzuan nga avokati i shoqatës janë fletëthirrje, me të cilat Gjykata Administrative e ka njoftuar për çështjen, e cila ndodhej në fazën paraprake. Ne kërkojmë që të rrëzohet kërkesa e shoqatës për ndërhyrje kryesore”, ka thënë ai.