... Nami.al

Berisha thirrje demokratëve: Merrni pjesë në protestë dhe kontribuoni për suksesin e saj

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve të mbështesin protestën qytetare që po zhvillohet në bulevardin e Tiranës, duke i ftuar të marrin pjesë dhe të kontribuojnë për suksesin e saj.

Në një deklaratë për mediat, Berisha vlerësoi protestën si një lëvizje me rëndësi të veçantë, duke e cilësuar atë si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare në vend që prej viteve ’90.

“Gjatë kësaj jave vazhdoi me heroizëm epik protesta rinore qytetare në bulevardin e Tiranës, pavarësisht nga terrori qeveritar i Edi Ramës dhe falangave të tij të krimit ndaj eksponentëve të kësaj proteste dhe pjesëmarrësve të saj. Kryengritja paqësore e rinisë dhe qytetarëve shqiptarë vazhdoi e pamposhtur duke siguruar mbështetje të madhe ndërkombëtare”, deklaroi Berisha.

Ai rikonfirmoi mbështetjen e tij për protestën dhe u bëri thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike që t’i bashkohen asaj.

“Duke shprehur edhe njëherë mbështetjen më të fuqishme për këtë lëvizje, për këtë protestë të paprecedent që nga vitet ’90 në historinë e Shqipërisë, ftoj çdo demokrate e demokrat të marrin pjesë në frymën e saj si qytetarë, të bëjnë gjithçka për suksesin e saj”, u shpreh kreu i PD-së.