... Nami.al

Marjana Koçeku: Ramës ia kam thënë në sy çfarë mendoj për të, kolegë të PS më kanë mbështetur privatisht

Deputetja Marjana Koçeku, e cila para disa javësh vendosi të shkëputet nga PS dhe të dalë e pavarur, ishte e ftuar sot në emisionin “Shqipëria Live” në “Top Channel”, ku foli në lidhje me vendimin e saj dhe prapaskenat në mbledhjet e grupit të PS.

“Ka pasur edhe kundërshtime të mëparshme për gjëra që unë i kam konsideruar jo të drejta. Kam mbajtur qëndrime edhe brenda parlamentit për mjedisin, sidomos Drinin dhe Bunën. Kam mbështetur edhe një nga deputetët e PD në Shkodër. Si deputete e pavarur mund të kontribuoj më shumë për kauzat që unë mbështes, me më liri dhe më ndërgjegje.

Vendimi ka pasur një sërë ngjarjesh, nuk ka ndodhur menjëherë. Ka qenë e menduar nga ana ime, por protesta ka pasur ndikimin e vet për të menduar se është momenti i duhur. Fikja e telefonit ka qenë për të mos u ndikuar nga askënd. Vendimin e kam konsultuar vetëm me ndërgjegjen time. Familja nuk ka tentuar të ndërhyjë, ma kanë respektuar vendimin dhe kanë qenë të shqetësuar nëse jam mirë.

Kam pasur kërkesa të shumta ndaj kryeministrit për zonën që përfaqësoja për çështje të ndryshme mjedisore dhe jo vetëm. Kam dhënë sinjale duke qenë kritike në lidhje me vonesat dhe neglizhencat për investimet në zonën nga unë vij. Në takimin me kryeministrin më ka thënë se është një zonë që nuk e kam hasur kurrë dhe nuk e di mirë çfarë bëhet aty.

Kështu është shprehur në podcast, që nuk ka qenë asnjëherë në Dukagjin, që nuk është një zonë e pa rëndësishme. Bluza e kryeministrit në Shkodër mbante një flamingo, ishte koment i sinqertë nga ana ime në mbështetje të protestës. Rama nuk më ka thënë asgjë në lidhje me atë koment. Kam kryesuar listën e PS në Shkodër, por unë jam betuar personalisht në parlament.

Kur jam bërë pjesë e PS jam bërë me imazhin tim dhe kam qenë pjesë aktive e fushatës, pra kam kontribuar gjatë fushatës dhe kjo nuk mohohet. Votat nuk kanë ardhur vetëm nga ndjekësit e PS, por edhe nga elektorati gri, që ka qenë edhe falë njohjeve të mia. Kam folur në mbledhjet e grupit për çështjen e hipotekave, mbrojtjen e arkitekturave dhe jo vetëm. Do të vazhdoj si deputete e pavarur deri në fund. Do të jem zë kritik.

Kam lexuar në rrjetet sociale kundërshtitë e Spiropalit, çdokush ka lirinë e vet të shprehë qëndrimin e vet. Ka pasur kolegë të PS që më kanë mbështetur privatisht, më kanë inkurajuar dhe e kanë respektuar vendimin tim. Kam qenë në Bruksel, ku kam folur për vendimin tim dhe situatën e protestave dhe kam marrë mbështetje.

Për statusin në lidhje me shkatërrimet e Thethit nuk më ka detyruar askush, prandaj edhe nuk e kam fshirë atë status. Unë besoj se ndërhyrja që u bë Theth u bë në mënyrë të gabuar sa i përket kohës, arrogancës dhe fyerjes që u bë, pavarësisht parregullsive që kishte atje. Nuk ngjaj me Greta Thunberg, e kam ndjekur dhe e vlerësoj rezistencën e saj për kauzat globale dhe mjedisore.

Kam qenë prezentë në protestë, kam vendosur të mbaj një lloj distance. Do të vazhdoj t’i mbështes me sa mundem. Nuk e di çfarë partie është Shqipëria e re, qëllimi im është të jem sa më aktive dhe të përfaqësoj qytetarët. Nuk kam sesi të mos i njoh të mira Edi Ramës, nuk jam personi që zgjedh të nxij çdo gjë që unë nuk i bëj më pjesë. Edi Ramës ia kam thënë çfarë kam pasur, publikisht dhe në mënyrë private. Jam deputete e pavarur, nuk synoj asnjë grupim”, u shpreh Koçeku.