... Nami.al

QSUT zhduk njoftimin ku bënte thirrje që t’i faleshin pajisje mjekësore, pas polemikave në rrjet

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) prej disa muajsh kishte publikuar një listë me pajisje mjekësore të cilat kërkohen ne formë donacioni për spitalet.

Në këtë listë ndër të tjera kërkoheshin edhe respiratorë, laringoskopë, defibritalorë, monitorë pacienti për matje invasive, elektrobisturi dhe shiringa elektrike.

Lajmi u shpërnda dje në rrjetet sociale dhe ishte gjithashtu pjesë e akuzave të protesuesve për mungesën e investimeve në shëndetësi nga qeveria.

Pas reagimeve të shumta, ditën e sotme në faqen e QSUT-së, kjo listë është hequr dhe faqja tashmë nuk ekziston.

Pas polemikave të shumta të një dite më parë, ka reaguar edhe nënkryetari i Komisionit për Shëndetësinë, Eduart Shalsi, i cili sqaroi se publikimi i nevojave për pajisje në platformën e donacioneve të QSUT është një procedurë e rregullt dhe e detyrueshme me ligj, që synon të garantojë transparencën dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurisë publike.

Sipas tij, identifikimi i nevojave kalon në një proces institucional mes QSUT-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme, përmes Drejtorisë së Inxhinierisë Klinike. Shalsi theksoi se njoftimi është publikuar që në muajin shkurt dhe se, aktualisht, të gjitha nevojat e listuara janë plotësuar. Ai sqaroi gjithashtu se pajisjet e shpallura mund të sigurohen përmes procedurave të prokurimit ose të hiqen nga lista në rast se ofrohen si donacion.

“Është një procedurë që ka qenë atje, është vendosur njoftimi në shkurt, bëhet në mënyrë të rregullt. Sot që flasim të gjitha ato nevoja janë plotësuar, sepse nëse do të konsultoheshit me specialistë të mirëfilltë do të kuptoni se shpallen pastaj mund të prokurohen. Nëse dikush ofron, hiqet nga prokurimi.

Kjo është një platformë që po mund ta diskutojmë a funksionon 100%, a mund të përmirësohet më mirë. Ky duhet të jetë niveli i debatit që duhet të bëjmë nëse jemi realisht të shqetësuar se çfarë mund të përmirësohet në sistemin shëndetësor”, u shpreh Shalsi.