...
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar lidhur me raportimet e mediave maqedonase për pengimin e kalimit të dy deputetëve të Maqedonisë së Veriut në pikën kufitare të Qafë Thanës.
Në një deklaratë për mediat, Hita sqaroi se në pikën kufitare janë paraqitur katër shtetas, tre prej të cilëve dispononin pasaporta diplomatike.
Sipas tij, këtyre personave iu bë e ditur se mund të vijonin udhëtimin, ndërsa një person tjetër që i shoqëronte nuk u lejua të kalonte për shkak të një pengese ligjore në Shqipëri.
“Dje në pikën kufitare të Qafë Thanës janë paraqitur 4 shtetas, 3 prej tyre dispononin pasaporta diplomatike. Iu është bërë me dije se mund të vazhdonin udhëtimin, por një person i shoqëruar me ta ka pasur pengesa të ligjshme në Shqipëri dhe nuk ka mundur të udhëtojë drejt Republikës së Shqipërisë. 3 të tjerët nuk kanë pranuar të vazhdonin udhëtimin dhe janë kthyer drejt Maqedonisë“, deklaroi Hita.
Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se rasti nuk është i veçantë dhe se kontrollet kufitare janë pjesë e procedurave të zakonshme të punës së policisë.
“Nuk është rast i veçuar. Gjatë vitit 2025 kemi kthyer 10 persona të tjerë në 628 raste. Është punë e përditshme dhe nuk ka vend për panik”, u shpreh Hita.
Tre zyrtarë nga Maqedonia e Veriut, deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, deklaruan dje se janë përballur me ndalesë për hyrje në Shqipëri.
Sipas TV21, zyrtarët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në organizimin e protestave në Tiranë, ndaj dhe s’u lejuan të hyjnë në Shqipëri.