...
Ish-deputetja Monika Kryemadhi i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme (GJKKO) shpalljen të papërdorshme të tabulateve të zbardhura nga telefoni i saj celular, i cili është sekuestruar gjatë hetimeve.
Në seancën gjyqësore, Kryemadhi ka pretenduar se marrja e të dhënave nga telefoni i saj është bërë në mënyrë të paligjshme, pasi në kohën kur është kryer sekuestrimi ajo ka mbajtur mandatin e deputetes.
Sipas saj, një provë e marrë në shkelje të procedurave ligjore nuk mund të përdoret në procesin gjyqësor.
“Celulari është sekuestruar në mënyrë të paligjshme. Në atë periudhë kam qenë deputete dhe marrja e një prove në mënyrë të paligjshme e bën atë të papërdorshme”, mësohet të ketë deklaruar Kryemadhi përpara gjykatës.
Arsyetimi i saj është se pavarësisht se ajo i vuri në dijeni agjentët e BKH-së se celulari i sekuestruar ishte i saji, ata gjithsesi e sekuestruan.
“Organi i akuzës nuk duhej të vinte për kontroll në banesën time, pasi unë isha deputete. Organi i akuzës e dinte që ne jetonim në një banesë. Organi i akuzës e dinte që, kur është bërë kontrolli, është kontrolluar dhoma ime e gjumit, pavarësisht se ishte në emër të Fatime Kryemadhit”, tha ajo.