...
Vetëm pak javë pasi kishte përfunduar shkollën e mesme dhe ndërsa përgatitej të niste studimet për arkitekturë, 19-vjeçari shqiptar Gent Maksutaj u vra me armë zjarri në një rrugë të qytetit suedez të Upsalës.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Suedi. Sipas autoriteteve, një i mitur nën moshën 18 vjeç është arrestuar si i dyshuar për vrasjen, ndërsa prokuroria nuk përjashton që në krim të kenë marrë pjesë edhe persona të tjerë.
Sipas të përditshmes suedeze Aftonbladet, mënyra si u krye sulmi tregon se bëhet fjalë për një ekzekutim.
Autori dyshohet se iu afrua viktimës me biçikletë, e qëlloi një herë dhe, pasi 19-vjeçari ra në tokë, iu afrua sërish duke e qëlluar nga afër.
Më pas u largua me tren drejt Stokholmit, ku u arrestua në një restorant Burger King.
Hetuesit po punojnë për të zbardhur motivin e krimit. Deri tani, policia suedeze nuk ka konfirmuar nëse vrasja lidhet me konfliktet mes bandave kriminale, një fenomen që ka goditur rëndë vendin vitet e fundit.
Mediat lokale raportojnë se Gent Maksutaj sapo ishte diplomuar dhe kishte planifikuar të studionte për arkitekturë, ndërsa familjarët dhe miqtë e kujtojnë si një djalë pa lidhje me botën e krimit.
Megjithatë, rrethanat e sakta të vrasjes mbeten ende nën hetim.