...
Një grup eurodeputetësh po kërkon nisjen e një hetimi ndaj presidentit të FIFA-s Gianni Infantino për të përcaktuar nëse presioni i administratës së presidentit amerikan Donald Trump ndikoi në vendimin e FIFA-s për të anuluar pezullimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun pas kartonit të kuq.
Balogun luajti në ndeshjen e fazës së 1/16-ave të Kupës së Botës, ku Shtetet e Bashkuara u mposhtën 4-1 nga Belgjika.
Sipas një letre që po qarkullon në Parlamentin Evropian dhe që është siguruar nga Euronews, eurodeputetët u bëjnë thirrje 27 federatave të futbollit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të kërkojnë zyrtarisht nga FIFA një hetim mbi procesin që çoi në anulimin e pezullimit të Balogun.
“Besojmë se ka ardhur koha që federatat europiane të futbollit, të gjitha anëtare të FIFA-s, të ndërhyjnë dhe të kërkojnë një hetim mbi mënyrën se si u mor ky vendim”, thuhet në letër.
Eurodeputeti irlandez Barry Andrews, një nga nismëtarët e dokumentit, deklaroi për Euronews se “edhe një herë Gianni Infantino dhe FIFA iu nënshtruan kërkesave të administratës Trump”, duke e cilësuar vendimin si “një turp dhe një shtrembërim të drejtësisë”.
Balogun mori një karton të kuq të diskutueshëm në ndeshjen e SHBA-ve kundër Bosnje-Hercegovinës javën e kaluar. Sipas rregullave, kartoni i kuq sjell automatikisht një pezullim prej një ndeshjeje, çka do ta linte sulmuesin jashtë sfidës vendimtare ndaj Belgjikës.
Trump pranoi më vonë se kishte telefonuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për të diskutuar kartonin e kuq të Balogun, të cilin e konsideroi të padrejtë, por mohoi se kishte ushtruar presion ose kërkuar favorizim.
Më pas, FIFA pezulloi zbatimin e dënimit duke përdorur një mekanizëm ligjor që, sipas raportimeve, nuk ishte përdorur kurrë më parë në një Kupë Bote që prej futjes së kartonëve të kuq.
Presidenti amerikan falënderoi publikisht Infantinon për, siç u shpreh ai, “korrigjimin e një padrejtësie të madhe”. Nga ana e tij, Infantino deklaroi se gjatë bisedës i kishte sqaruar Trump se organi disiplinor i FIFA-s është i pavarur.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në Europë.
UEFA e cilësoi atë si “të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”, ndërsa Federata Belge e Futbollit ka paraqitur një ankesë zyrtare duke vënë në dyshim të drejtën e Balogun për të luajtur në atë ndeshje.
Edhe Komisioneri Europian për Sportin, Glenn Micallef, e quajti anulimin e pezullimit “një vendim të gabuar”.
Ndërkohë, William Gaillard, ish-drejtor për Komunikimin dhe Çështjet Publike në UEFA, deklaroi për Euronews se vendimi “bie tërësisht ndesh me rregullat dhe statutin e FIFA-s” dhe e cilësoi atë “një skandal”.
Letra është iniciuar nga eurodeputetët Barry Andrews (Renew Europe), Lara Wolters dhe Niels Fuglsang (Socialistët dhe Demokratët) dhe po mbledh nënshkrime deri në afatin e caktuar.
Nënshkruesit kërkojnë që federatat europiane të sigurojnë mbajtjen përgjegjëse të drejtuesve të lartë të FIFA-s, nëse provohet se kanë shkelur rregullat e neutralitetit politik.
Ata rikujtojnë gjithashtu një tjetër letër, të nënshkruar nga 50 eurodeputetë, ku kërkohej hetim për vendimin e FIFA-s për t’i akorduar presidentit Donald Trump Çmimin e Paqes të FIFA-s.