... Nami.al

Nis protesta e 31-të në Tiranë: Dhunës do i përgjigjemi me dhunë

Ka nisur protesta e 31-të radhazi e Revolucionit ‘Flamingo’.

Protestuesit janë mbledhur fillimisht te Sheshi “Skënderbej” për t’iu drejtuar godinës së Kryeministrisë, ku mbahen fjalimet.

Kjo protestë e 31-të vjen po ashtu pas një incidenti të ndodhur paraditen e kësaj të marte, ku u ndaluan gjashtë protestues.

Një nga organizatorët, Arben Kola, ka reaguar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës para Kuvendit, duke akuzuar autoritetet se po synojnë përshkallëzimin e situatës.

Ai po ashtu u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë në mënyrë të pavarur, duke theksuar se organizatorët nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

“Këta kërkojnë dhunë, duan dhunë, jo protestë paqësore. Tani e tutje shqiptarët të reagojnë në mënyrë të pavarur dhe ne nuk mbajmë përgjegjësi”.

“Rama jep dorëheqjen, më mirë para se qytetarët t’ju marrin vërtet zvarrë e t’ju hedhin në kosh. Lërjani radhën rinisë, në PS e PD ka shumë të rinj që mund të qeverisin shumë më mirë se Rama dhe Saliu”, shtoi ai.

Gjithashtu paralajmëroi policinë të ketë kujdes. “Dhunës do i përgjigjemi me dhunë”.

Ndalimi i protestuesve erdhi pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit teksa më herët janë liruar të gjashtë.

Mes të liruarve ishte edhe Dritan Goxhaj, ku njoftoi se arsyeja e shoqërimit ishte për kundërshtim të Policisë.

“Arsyeja e shoqërimit ishte pretendimi për kundërshtim të punonjësve të policisë, edhe pse ne nuk i kemi kundërshtuar. Ne kemi qenë gardh dhe u kemi bërë thirrje protestuesve të mos prekin punonjësit e policisë”, theksoi Goxhaj.

Ky i fundit shtoi se “trajtimi ndaj nesh ka qenë normal dhe nuk ka pasur asnjë problem”.

“Kanë ardhur disa deputetë dhe na kanë pyetur për situatën. Ne nuk pranuam të takonim Avokatin e Popullit, pasi për ne ai nuk përfaqëson popullin, sepse është votuar nga një Parlament që ne e konsiderojmë Parlament krimi. Për këtë arsye, ne kërkuam largimin e tij”, tha Goxhaj.

Tubimi para Parlamentit u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, pasi një grup qytetarësh tentuan të çajnë gardhin metalik të vendosur përreth godinës së Kuvendit.

Për të penguar afrimin e protestuesve, efektivët krijuan një kordon sigurie, ndërsa situata u tensionua me shtyrje dhe përplasje mes palëve.

Momente të tjera tensioni u regjistruan kur protestuesit hodhën vezë në drejtim të automjeteve të ministrave dhe deputetëve që po largoheshin nga Kuvendi.