...
Për Donald Trumpin, NATO vazhdon të jetë një aleancë ku shumë vende kërkojnë mbrojtjen amerikane, por nuk kontribuojnë sa duhet për të. Për Mark Rutten, sfida është krejt tjetër: të ruajë unitetin e aleancës dhe të shmangë përplasjet me presidentin amerikan.
Kjo ishte edhe atmosfera e takimit të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, ku Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u përpoq ta bindë Trumpin se aleatët europianë kanë dëgjuar kërkesat e Uashingtonit dhe po investojnë më shumë se kurrë në mbrojtje.
Për ta bindur presidentin amerikan, Rutte zgjodhi të flasë me shifra.
“Kjo është ajo që unë e quaj ‘Trump trilioni’. Që nga viti 2017, europianët dhe kanadezët kanë shtuar mbi 1.2 trilionë dollarë në shpenzimet e mbrojtjes”, tha Rutte.
Shefi i NATO-s argumentoi se presioni i vazhdueshëm i Trumpit ka detyruar shumë qeveri europiane të rishikojnë politikat e tyre të mbrojtjes dhe të rrisin ndjeshëm investimet ushtarake. Por presidenti amerikan nuk dukej i gatshëm të hiqte dorë nga kritikat.
“Pyetja kryesore është: a po paguajnë 5 për qind? Për pjesën më të madhe jo. Ne kemi mijëra trupa në Europë, shpenzojmë miliarda dollarë për sigurinë e tyre dhe ajo që kërkoj është besnikëri”, tha Trump.
Trump veçoi disa vende europiane, të cilat sipas tij vazhdojnë të mos përmbushin detyrimet që kanë marrë përsipër brenda aleancës.
Presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara nuk kishin nevojë për ndihmë ushtarake gjatë operacionit kundër Iranit, por shtoi se do të kishte pritur të paktën mbështetje politike nga aleatët europianë. Sipas Trumpit, shumë prej tyre nuk treguan solidaritetin që Uashingtoni priste në një moment të rëndësishëm.
“Ne nuk kishim nevojë për ndihmë. E zgjidhëm vetë që në javën e parë. Por do të kishte qenë mirë të dëgjonim disa prej tyre të thoshin: ‘duam të ndihmojmë’. Nuk e thanë”, tha Donald trump.
Rutte pranoi se ka pasur mospajtime, por këmbënguli se bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës mbetet thelbësor.
“Midis katër dhe pesë mijë avionë amerikanë u ngritën nga bazat e Europës”, tha Mark Rutte.
Në sfondin e debateve për NATO-n, një pjesë e rëndësishme e diskutimit u përqendrua te Turqia. Trump foli në terma pozitivë për presidentin turk Rexhep Tayyip Erdogan, duke e cilësuar një partner me të cilin ka bashkëpunuar ngushtë.
“Erdogani është një lider i fortë dhe i respektuar. Sa herë që i kam kërkuar diçka, ai e ka bërë”, tha Trump.
Presidenti amerikan la të kuptohet gjithashtu se administrata e tij mund të ndërmarrë hapa që do të përmirësojnë marrëdhëniet ushtarake me Ankaranë.
“Me shumë gjasa do të bëjmë diçka që do ta bëjë shumë të lumtur”, tha Trump.
Deklarata u interpretua si një sinjal i drejtpërdrejtë për kërkesën turke për t’u rikthyer në programin e avionëve luftarakë F-35.
Pak më vonë, zëvendëspresidenti JD Vance konfirmoi se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e rikthimit të Turqisë në programin F-35, nga i cili Ankara u përjashtua pas blerjes së sistemit rus antiraketor S-400.Sipas burimeve të Reuters, në Uashington po shqyrtohen alternativa që mund të hapin rrugën për një marrëveshje me Ankaranë, pavarësisht kundërshtimeve që vazhdojnë të ekzistojnë në Kongres.
Në bisedën me gazetarët, Trump u ndal edhe te lufta në Ukrainë, një konflikt që vazhdon të dominojë axhendën e sigurisë së NATO-s.
Ndryshe nga kritikat e muajve të fundit ndaj Kievit, këtë herë kreu i Shtëpisë së Bardhë përdori tone më pozitive për Volodymyr Zelenskyn dhe rezistencën ukrainase përballë Rusisë.
“Po ia del mjaft mirë. Pavarësisht si e sheh situatën, ai po qëndron. Ka shumë viktima nga të dyja palët, por duhet ta pranosh se ka treguar guxim. Ka pajisje të mira, por mbi të gjitha ka luftëtarë të mirë”, tha Trump.
Deklarata vjen ndërsa lufta vazhdon pa shenja përfundimi dhe mbetet sfida kryesore e sigurisë për aleancën në krahun lindor.
Por vëmendja e NATO-s nuk është përqendruar vetëm në Ukrainë. Në Lindjen e Mesme, armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit mbetet i brishtë pas javësh përshkallëzimi që përfshinë edhe ndërhyrjen ushtarake amerikane. Ndërkohë, tensionet vazhdojnë edhe në Liban, ku përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut mbajnë të hapur rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal.
Në këtë klimë pasigurie, samiti i NATO-s që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara pritet të fokusohet jo vetëm te rritja e shpenzimeve ushtarake dhe mbështetja për Ukrainën, por edhe te sfidat e sigurisë që po vijnë nga Lindja e Mesme.
Në Ankara do të testohet jo vetëm uniteti i NATO-s, por edhe mundësia e transformimit të Aleancës, ku presidenti Trump ka një rol kyç, duke iu kërkuar evropianëve të bëjnë shumë më tepër për mbrojtjen e tyre.