...
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka folur ditën e sotme pas mbledhjes së qeverisë edhe për protestat që po zhvillohen në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Gonxhja tha se gjatë qeverisjes së PS, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara.
Më tej Gonxhja tha se qeveria socialiste nuk duhet të dorëhiqet dhe të lërë punët e nisura në mes.
Sipas ministrit Gonxhja, niveli i lartë i pritshmërive të qytetarëve sot, nuk përputhet me realitetin. Por sipas tij, kjo s’do të thotë se duhet hedhur poshtë gjithçka e arritur gjatë këtyre viteve.
“Unë jam vetë i lidhur shumë edhe historikisht, por edhe shpirtërisht me protestën si institucion. Jam matur shumë, në shumë prej daljeve të mia, si ne po analizojmë, si ne po reflektojmë, në çdo aspekt.
Të bëjmë ç’është e mundur që të bëjmë një proces vendimmarrës në vend, i cili të jetë jo vetëm sa më i mirë për qytetarët tanë, por edhe sa më në standard për atë që është së afërmi Shqipëria në BE. Mund të jemi edhe më kritikë ndaj vetes.
Tani të lëmë çdo gjë në mes dhe secili të heqë dorë nga gjithçka pa e ditur se çfarë është ajo që propozohet kalon përtej meje si Blend, kalon përtej meje si ministër. Ne kemi shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve, karshi vendit, karshi një kontrate që përfaqësojmë këtu. Është në respekt të vetë, protestës që ne të sillemi me përgjegjësi ndaj atyre që na kanë votuar.
Ne duhet të respektojmë vullnetin e të gjithë qytetarëve. Vetëm kështu mund të mendojmë se mund të kemi një rezultat më të mirë. Nuk ka asnjë mundësi që të kemi një Shqipëri perfekte befas, menjëherë dhe në kaq pak vite të një periudhe kur PS-ja, kur shumë institucione që i kanë besuar PS-së kanë kaluar sfida të cilat ju i dini shumë mirë.
Mund të themi me zë të lartë që mandatet që kemi kaluar, kanë qenë të ndikuara e të kushtëzuara nga tërmeti, pandemia. Janë dashur vite e vite, që ne jemi përpjekur që të superojmë, që të përballojmë një prej situatave më të vështira që bota ka kaluar.
Shqipëria i ka superuar këto situata, Shqipëria sot është në këmbë, Shqipëria sot është më mirë se kurrë më parë. Por niveli shumë i lartë i pritshmërisë së qytetarëve nuk përputhet me realitetin, por kjo nuk do të justifikonte hedhjen poshtë të gjithçkaje të bërë në këto vite”, tha mes të tjerash Gonxhja.