...
Kryeministri britanik dhe lideri i Partisë Laburiste, Keir Starmer, ka njoftuar dorëheqjen si kryeministër dhe nga drejtimi i partisë, duke deklaruar se pranon me dinjitet vendimin e kolegëve të tij parlamentarë.
Në një deklaratë publike, Starmer tha se pyetja që po shtrohej brenda Partisë Laburiste ishte nëse ai ishte personi i duhur për ta udhëhequr forcën politike drejt zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.
“Kam dëgjuar përgjigjen e grupit tim parlamentar për këtë pyetje dhe e pranoj atë përgjigje me dinjitet”, u shpreh ai.
Starmer theksoi se çdo vendim që ka marrë gjatë karrierës së tij politike ka pasur në qendër interesin e vendit.
“Çdo vendim që kam marrë ka qenë për të vënë në radhë të parë vendin që dua. Për këtë arsye do të jap dorëheqjen si lider i Partisë Laburiste”, deklaroi ai.
Ai shtoi se gjatë udhëheqjes së tij e ka ndryshuar partinë duke “çrrënjosur helmin e antisemitizmit” dhe duke rikthyer besimin në ekonomi, mbrojtje dhe siguri kombëtare.
Starmer bëri të ditur se ka informuar edhe Mbretin për vendimin e tij dhe se ka kërkuar nga Komiteti Ekzekutiv Kombëtar i Partisë Laburiste të përcaktojë një afat për zgjedhjen e liderit të ri, me nominimet që do të hapen më 9 korrik dhe procesin që pritet të përfundojë para pushimit veror të parlamentit.
Sipas tij, kjo do të thotë se një udhëheqës i ri do të jetë në detyrë përpara rikthimit të parlamentit në shtator, ndërsa deri atëherë ai do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë si kryeministër.
Starmer u zotua gjithashtu për një tranzicion të rregullt të pushtetit dhe tha se do ta mbështesë plotësisht pasardhësin e tij. Ai shtoi se udhëheqësi i ri do të trashëgojë një Britani “më të fortë dhe më të drejtë” se dy vite më parë.
Në fund, ai falënderoi bashkëpunëtorët e tij, stafin e Downing Street dhe shërbimin civil për punën dhe mbështetjen gjatë gjashtë viteve të fundit.