... Nami.al

Një bankë për të pastruar paratë e drogës në Itali, mes klientëve edhe bandat shqiptare

Tre organizata kriminale, njëra prej të cilave shqiptare, kanë qarkulluar para përmes një banke të paligjshme, të zbuluar së fundmi në Prato, Itali. Banka kishte një xhiro vjetore mes 80-100 milionë euro në vit.

Përmes saj kanë qarkulluar paratë  e trafikut të drogës brenda dhe jashtë Italisë si dhe ato të emigracionit të paligjshëm. 

Mediat italiane raportojnë se banka u shërbente klaneve Sacra Corona Unita, ‘Ndrangheta’ dhe Camorra, si dhe bandave kriminale shqiptare. 

Paratë që qarkullonte kjo bankë ishin kryesisht pagesa të tregut të zi për drogë dhe mallra tekstili midis kompanive kineze. Hetimi i koordinuar nga prokuroria e Firenzes ka çuar në burg 17 persona dhe ka vënë në arrest shtëpie 16 të tjerë. Në total nën hetim janë 57 persona, kryesisht kinezë, italianë dhe shqiptarë.

Në krye të bankës ilegale, sipas hetuesve, ishte një 50-vjeçar kinez me precedentë të shumtë kriminalë, i akuzuar për pjesëmarrje në një komplot kriminal që synonte trafikimin e drogës në Veneto.

Sistemi havala është një mekanizëm virtual, i përdorur nga klanet italiane dhe shqiptare, i cili lejon që paratë të transferohen “virtualisht” pa pasur nevojë të transportohen nga dërguesi te marrësi, nga një vend në tjetrin. 

Grupet në fjalë mbështeteshin në një rrjet të dendur korrierësh mbledhës parash, të cilët, duke udhëtuar midis Italisë dhe jashtë vendit – Spanjës, Francës dhe Portugalisë – kryenin pagesa nga jashtë, duke tërhequr fonde nga trafikimi i paligjshëm.

Për të parandaluar qarkullimin e parave të drogës – me rrezik sekuestrimi gjatë kontrolleve policore në vende të ndryshme – transaksionet kryeshin duke përdorur fonde të gjeneruara nga flukset e parave kesh të kompanive kineze të tekstilit të veshjeve, bazuar në marrëdhëniet midis industrive të Pratos – rrethi kryesor i tekstilit në Evropë – dhe qendrave të prodhimit në Gadishullin Iberik (firmat e veshjeve në Madrid, Malaga, Valencia dhe Sevilje).

Hetuesit zbuluan një lidhje të ngushtë biznesi midis menaxhmentit të lartë të organizatës – i cili vepronte si ndërmjetës – dhe grupeve shqiptare që kishin nevojë të pastronin të ardhurat nga trafikimi i drogës dhe që ishin “klientë” të saj.