... Nami.al

Gomonia pa drejtues alarmon Himarën, shpëtohet 35-vjeçari i plagosur. Policia: Shmangëm tragjedinë

Një 35-vjeçar, që po lundronte me gomone në Himarë, kishte rënë në det gjatë drejtimit të mjetit dhe kishte marrë dëmtime në njërën këmbë. Më pas ai ka arritur të dalë në Gjirin e Llamanit.

Policia bën të ditur se pasi kishin marrë një njoftim për qarkullimin me shpejtësi të gomones, pa persona në bord, kanë konstatuar 35-vjeçarin e dëmtuar në Gjirin e Llamanit, të cilin e transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, sipas Policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë gomonia, e cila paraqiste rrezik për mjetet e tjera lundruese dhe për pushuesit, u vu nën kontroll nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare.

Një punonjës i Njësisë Policore Detare mundi të hidhej në bordin e gomones dhe ta ndalonte atë.

Njoftimi i Policisë:

Himarë / Policia Kufitare shmang një tragjedi të mundshme në det

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë Kufitare në Himarë shmangu sot një ngjarje me pasoja të rënda në det.

Pas njoftimit se një gomone po lëvizte në mënyrë të pakontrolluar dhe me shpejtësi, pa persona në bord, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë në zonën e “Kepit të Rigonit”, përballë plazhit të Llamanit.

Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Orikum, kishte rënë në det gjatë lëvizjes dhe kishte dalë në gjirin e Llamanit, i dëmtuar në këmbë. Ai u transportua në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gomonia, e cila paraqiste rrezik për mjetet e tjera lundruese dhe për pushuesit, u vu nën kontroll nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare. Një punonjës i Njësisë Policore Detare mundi të hidhej në bordin e gomones dhe ta ndalonte atë.

Më pas, mjeti lundrues u tërhoq në PKK Himarë për verifikime të mëtejshme.

Policia Kufitare vijon të jetë e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve. Në këtë kuadër, ajo fton qytetarët që, në rast nevoje, të telefonojnë në numrin 112.