...
Një sulm i gjerë me dronë ukrainas ka goditur Moskën gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes, duke shkaktuar zjarr në rafinerinë e naftës së kryeqytetit rus dhe dëme në disa objekte të tjera.
Sipas kryebashkiakut të Moskës, Sergei Sobyanin, sistemet e mbrojtjes ajrore ruse po përballeshin me një sulm në shkallë të gjerë, por disa dronë arritën të depërtonin dhe të godisnin rafinerinë e naftës në zonën juglindore të Kapotnyas.
Pamjet nga vendngjarja treguan flakë dhe shtëllunga të mëdha tymi mbi kompleksin industrial, ndërsa trafiku në një pjesë të unazës së Moskës u ndërpre për arsye sigurie.
Kjo është hera e dytë brenda javës që rafineria e Moskës goditet nga dronët ukrainas. Sulmi i mëparshëm, i ndodhur të martën, besohet se kishte detyruar pezullimin e operacioneve në impiant, duke shtuar vështirësitë e Rusisë në sektorin e furnizimit me karburante.
Sobyanin deklaroi se rreth 180 dronë që po drejtoheshin drejt kryeqytetit u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se gjatë natës u shkatërruan gjithsej 555 dronë ukrainas në rajone të ndryshme të vendit. Këto pretendime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Përveç rafinerisë, autoritetet raportuan dëmtime në një qendër tregtare, një ndërtesë të lartë banimi, një objekt industrial dhe disa banesa private në rajonin përreth Moskës.
Aeroporti Sheremetyevo, më i madhi në kryeqytetin rus, pezulloi përkohësisht fluturimet dhe evakuoi pasagjerët, disa prej të cilëve u strehuan në zonat e parkimit.
Ndërkohë, Rusia vijoi sulmet ndaj Ukrainës. Autoritetet në Kiev raportuan një tjetër sulm ajror me raketa balistike, ndërsa në rajonin verilindor të Sumyt një person humbi jetën pas një sulmi me dron.
Raportime për viktima pati edhe në territoret pranë vijës së frontit. Në Enerhodar, qyteti ku jeton pjesa më e madhe e punonjësve të centralit bërthamor të Zaporizhias, autoritetet e vendosura nga Rusia njoftuan vdekjen e një personi. Ndërsa në rajonin rus të Belgorodit, një burrë u vra pas goditjes së automjetit të tij nga një dron ukrainas.
Sulmet e ndërsjella vijnë në një kohë kur lufta mes Rusisë dhe Ukrainës po hyn në një fazë të re përshkallëzimi, me goditje gjithnjë e më të thella ndaj infrastrukturës energjetike dhe objektivave strategjike në të dy vendet.