...
Përfaqësuesi ligjor i Bajrave, avokati Sokol Tahiraj, ka reaguar pas deklaratave publike të deputetes Marjana Koçeku, e cila u ka drejtuar një mesazh në rrjetet sociale duke lënë të kuptohet se familjarët e saj janë kërcënuar prej tyre.
Në reagimin e saj, Koçeku paralajmëron se do të kundërpërgjigjet nëse familjarëve të saj u ndodh diçka.
Avokati Tahiraj thekson se “ftojmë deputeten Koçeku që çdo pretendim që ajo mund të ketë ta adresojë pranë organeve kompetente të drejtësisë dhe jo përmes deklaratave publike që rrezikojnë të paragjykojnë persona të caktuar dhe të dëmtojnë reputacionin e tyre pa një bazë të provuar ligjore”.
Deklarata e plotë:
Jemi njohur me deklaratat publike të deputetes Marjana Koçeku, në të cilat përmenden klientët tanë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me etiketime që, sipas vlerësimit tonë, nuk mbështeten në asnjë fakt apo provë të bërë publike.
Si përfaqësues ligjorë të klientëve tanë, e konsiderojmë të papranueshme që individë të caktuar të etiketohen dhe të paragjykohen përmes deklaratave publike, jashtë çdo procesi ligjor dhe pa asnjë vendimmarrje gjyqësore që të justifikojë pretendime të tilla.
Në një shtet demokratik dhe të bazuar në sundimin e ligjit, përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të ndërtohet mbi përgjithësime, etiketime apo deklarata politike. Çdo pretendim duhet të provohet përpara institucioneve kompetente dhe jo nëpërmjet mesazheve publike që synojnë të krijojnë perceptime negative në opinionin publik.
Deklaratat në fjalë jo vetëm që cenojnë rëndë reputacionin e personave të përmendur, por krijojnë edhe një klimë të panevojshme tensioni dhe përçarjeje. Askush nuk duhet të vendoset në bankën e të akuzuarve përmes mediave apo rrjeteve sociale.
Për këtë arsye, po analizojmë me kujdes përmbajtjen e deklaratave të bëra dhe rezervojmë të drejtën për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore që parashikon legjislacioni shqiptar për mbrojtjen e interesave, dinjitetit dhe reputacionit të klientëve tanë.
Ftojmë deputeten Koçeku që çdo pretendim që ajo mund të ketë ta adresojë pranë organeve kompetente të drejtësisë dhe jo përmes deklaratave publike që rrezikojnë të paragjykojnë persona të caktuar dhe të dëmtojnë reputacionin e tyre pa një bazë të provuar ligjore.
Ne do të vazhdojmë të mbrojmë me vendosmëri të drejtat e klientëve tanë dhe të reagojmë ndaj çdo deklarate që cenon parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe prezumimit të pafajësisë.