...
Në ditën e 16-të të protestës që tashmë është pagëzuar nga vetë qytetarët si “Revolucioni i Flamingove”, janë zbardhur për herë të parë emrat e tre nismëtarëve të kësaj lëvizjeje qytetare. Një protestë që lindi pa liderë të shpallur, pa struktura politike dhe pa emra konkretë në krye, tashmë ka nxjerrë publikisht tre prej personave që do të qëndrojë në krye të organizimit të saj.
Ka qenë vetë aktivisti Alben Kola i cili bëri të ditur emrat e tre nismëtarëve që sipas tij njihen tashmë edhe zyrtarisht nga autoritetet. Bëhet fjalë për Luçiana Kokajn nga Rrjolli, Alben Kolën nga Kukësi dhe Arlinda Lleshin nga Lezha.
Dalja e tyre me emër dhe mbiemër shënon një moment të ri për protestën, e cila që prej ditës së parë është identifikuar si një reagim spontan dhe qytetar, pa figura të personalizuara në qendër të saj. Megjithatë, pavarësisht identifikimit të nismëtarëve, organizatorët kanë këmbëngulur se lëvizja mbetet një protestë e qytetarëve dhe për qytetarët.
“Marshimi është organizuar nga vetë të rinjtë, por nga sot do kujdesemi edhe për të për të shmangur incidentet e mbrëmshme. Nuk do të ketë më marshim jashtë ‘Unazës’”, u shpreh aktivisti Kola, duke bërë apel për unitet dhe qetësi gjatë marshimit dhe duke kërkuar që të mos përsëriten incidentet e regjistruara një natë më parë ku nëj turmë prej protestuesve u drejtuan drejt Rinasit.