...
Protestat e shqiptarëve janë shtrirë në disa shtete të botës, me pjesëmarrje dhe mobilizim të konsideruar masiv në diasporë.
Lëvizja e nisur në Tiranë ka vijuar të zgjerohet edhe jashtë vendit, duke u organizuar në mënyrë të vazhdueshme në qytete të ndryshme të Europës dhe Amerikës së Veriut.
Sipas organizatorëve, këtë të diel më 14 qershor, pritet që diaspora shqiptare të zhvillojë tubime njëkohësisht në 17 qytete të mëdha në disa shtete të botës.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, protestat do të mbahen në New York, Chicago, Boston, Michigan dhe Toronto, ndërsa në Gjermani në Berlin, Mynih, Këln dhe Stuttgart, duke e bërë këtë vend një nga pikat kryesore të mobilizimit.
Në Itali dhe Greqi janë paralajmëruar protesta në Athinë, Gjenova dhe Faenza, ndërsa tubime priten edhe në vende të Bashkimit Europian dhe Skandinavi, përfshirë Hagën në Holandë, Strasburg në Francë, Vjenë në Austri, Oslo në Norvegji dhe Odense në Danimarkë.
Organizatorët kanë deklaruar se kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestat pritet të shtrihen edhe më tej në ditët në vijim.