... Nami.al

Policia: Moisi Habilaj u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Në pranga edhe 1 person tjetër (EMRI)

Një ditë pas arrestimit të Moisi Habilajt në Borsh, Policia e Shtetit ka zbardhur detaje të reja për operacionin, duke bërë të ditur se 48-vjeçari u kap me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Sipas policisë, Habilaj u lokalizua në një lokal në Borsh gjatë operacionit të koduar “Metodat”, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.

Autoritetet bëjnë me dije se ai është dënuar nga Gjykata e Katanias me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Po ashtu, policia njofton se ndaj Habilajt është ekzekutuar edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me vendimin nr. 192 të datës 26 dhjetor 2018, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe 46 vjeçari Eduard Ahmeti banues në Sarandë, ndërsa një 70 vjeçar italian me inicialet  S.F., 70 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Arrestimi i Habilajt u bë publik mbrëmjen e së premtes. Ai u lokalizua në një beach bar në Borsh, në pronësi të familjarëve të tij.

Sipas të njëjtave burime, në momentin e arrestimit ai mbante kapele dhe kishte lënë mjekër, në përpjekje për të shmangur identifikimin.

Moisi Habilaj është një nga emrat më të njohur të dosjes së trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë. Në vitin 2021, Gjykata e Apelit e Katanias e dënoi përfundimisht me 15 vite e 5 muaj burg. Më herët, ai ishte larguar nga banesa që kishte deklaruar në Raguzë dhe rezultonte në arrati.

Në Shqipëri, Habilaj është shpallur fajtor për trafikim droge në katër episode gjatë viteve 2013-2017. Ai u dënua nga Gjykata e Posaçme me 15 vite burg, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar u ul në 10 vite. Emri i tij u përmend edhe në hetimet e autoriteteve italiane që u përdorën më pas në procedimin penal ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Njoftimi i Policisë 

“Kapet dhe arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar nga autoritetet italiane me mbi 12 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe në përdorimin e metodave speciale të hetimit për zbulimin dhe lokalizimin e një personi shumë të kërkuar nga autoritetet italiane, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, u bë i mundur lokalizimi në një lokal në Borsh, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit Moisi Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë e Vogël, Vlorë.

Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin nr. 192, datë 26.12.2018, të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”