... Nami.al

NATO projekton tërheqjen graduale të trupave nga Kosova

Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) ka njoftuar se do të “optimizojë” praninë e saj dhe do të zvogëlojë gradualisht numrin e trupave që shërbejnë në misionin e KFOR-it.

Vendimi për reduktimin e numrit të trupave gjatë vitit të ardhshëm vjen si rrjedhojë e përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë gjatë viteve të fundit në Kosovë.

NATO ka ndërprerë që në muajin janar të këtij viti dislokimin e forcave rezervë, të cilat ishin angazhuar në rotacion të vazhdueshëm për më shumë se dy vite në KFOR.

“Kushtet ekzistuese ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, ka deklaruar Komandanti Suprem i NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan, Alexus G. Grynkewich, në një njoftim të lëshuar më 12 qershor 2026.

“NATO dhe KFOR-i janë tërësisht të përkushtuar për sigurinë në Kosovë. Pikërisht falë këtij përkushtimi është përmirësuar situata e sigurisë në Kosovë pasi organizatat e sigurisë në Kosovë kanë rritur kapacitetet e tyre”, ka shtuar Grynkewich.

Nga aleanca ushtarake perëndimore njoftuan se përshtatja e trupave do të bëhet në përputhje me zhvillimet në terren, duke nënvizuar se ky vendim mund të zhbëhet menjëherë në rast të përkeqësimit ose ndryshimit të kushteve të sigurisë.

Ky zhvillim vjen në 27-vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke shënuar pothuajse tri dekada që nga viti 1999, kur pas 78 ditësh bombardimesh mbi caqet serbe, forcat aleate të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës hynë në Kosovë.