...
Një mega-operacion i ndërmarrë nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka goditur një rrjet të fuqishëm të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim parash në vlera të mëdha. Gjykata e Posaçme ka lëshuar të paktën 20 masa sigurie, duke vënë në shënjestër emra të njohur të botës së biznesit dhe ndërtimit në vend.
Në kuadër të këtij aksioni, forcat e rendit kanë ekzekutuar masën e sigurisë për biznesmenin Orest Sota, i cili ndodhet tashmë në pranga. Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dy figura të rëndësishme të biznesit, investitori Ilir Shtufi dhe biznesmeni Artur Shehu, të cilët dyshohet se ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Ilir Shtufi njihet si sipërmarrësi kryesor pas projektit të kullës “Mali i Tiranës” në qendër të kryeqytetit, si dhe për një sërë investimesh të tjera madhore në fushën e ndërtimit. Nga ana tjetër, Artur Shehu zotëron sipërfaqe të konsiderueshme toke në zonën e Zvërnecit në Vlorë, vend ku është planifikuar ndërtimi i një kompleksi turistik dhe resorti luksoz. Ndaj të dy këtyre shtetasve është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë.
Sipas dyshimeve të arsyeshme të ngritura nga prokurorët e posaçëm, subjekti i këtij hetimi është një grup i strukturuar kriminal, i cili përdorte investimet në projekte të mëdha infrastrukturore, ndërtime dhe resorte turistike për të investuar dhe pastruar të aromat e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm i narkotikëve.
Operacioni i policisë dhe SPAK është ende në vijim e sipër në disa qytete të vendit për ekzekutimin e plotë të mandateve të arrestit. Organi i akuzës pritet të dalë me një komunikim zyrtar për mediat në orët në vijim për të zbardhur skemën e plotë të pastrimit të parave dhe rolet e secilit prej të përfshirëve.