... Nami.al

Zhdukja e Eglant Koçit në Tiranë/ Gjykata lë në burg kamarierin 25-vjeçar, dyshohet se ndihmoi në pengmarrje

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Enea Zyferin, i arrestuar në kuadër të hetimeve për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i humbur që prej 5 qershorit.

Zyferi, i cili punonte si kamarier në një lokal në pronësi të Armand Shakajt, person i shpallur në kërkim në lidhje me këtë çështje, akuzohet për përkrahje të autorit të krimit.

Për të fshehur çdo gjurmë, Shakaj ka lëvizur motorin e viktimës nga zona ku u mbajt peng drejt 5 Majit, ndërsa motomjeti u gjet dy ditë më pas.

Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar këtë të mërkurë, Enea Zyferi ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje dhe ka deklaruar se nuk ka lidhje me rastin që po hetohet.

Ndërkohë, hetimet vijojnë intensivisht. Sipas burimeve nga grupi hetimor, provat e mbledhura deri tani, si ato shkencore ashtu edhe rrethanore, kanë ngritur dyshime të forta se Eglant Koçi mund të jetë vrarë.

 Policia ka gjetur vendin ku u mbajt peng i riu, si dhe është sekuestruar automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar.

Autoritetet po vazhdojnë veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe lokalizimin e personave të përfshirë.