...
Është shtyrë seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 18 të bashkëpandehurve të tjerë, pas mungesës së disa avokatëve mbrojtës dhe zhvillimeve në sallën e gjyqit.
Në seancë ishte i pranishëm vetëm prokurori Ols Daso, ndërsa mungonte prokurori tjetër Altin Dumani. Nga ana e mbrojtjes ishte i pranishëm avokati i Veliajt, Plarent Ndreca.
Kryebashkiaku Veliaj nuk mori pjesë në seancë, duke i dërguar një shkresë gjykatës ku argumenton se “mbajtja në kafaz nuk është as e hijshme dhe as dinjitoze”, duke kërkuar që të përfaqësohet nga avokati i tij.
Shtyrja e seancës erdhi gjithashtu si pasojë e mungesës së avokatëve të tjerë mbrojtës, duke detyruar gjykatën të pezullojë përkohësisht edhe afatet e paraburgimit për të pandehurit.
Gjatë seancës u shqyrtua edhe kërkesa e avokatit Ndreca, i cili pretendoi se mbrojtjes nuk i janë vënë në dispozicion 24 fashikuj të dosjes. Trupa gjykuese sqaroi se materialet që mungojnë lidhen me njoftimin e akuzës për të pandehurit e tjerë dhe nuk përbëjnë shkelje procedurale që cenon mbrojtjen në këtë fazë të procesit.
Gjykata vendosi gjithashtu që t’i vërë në dispozicion Erion Veliajt 24 fashikujt e kërkuar, ndërsa procesi do të vijojë në një seancë tjetër të radhës më datë 16, ora 10:00.