...
Revista amerikane Forbes i ka kushtuar vëmendje debatit mbi investimin e Jared Kushner në Shqipëri, duke paralajmëruar se projekti mund të komplikojë përpjekjet e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në artikullin e publikuar së fundmi, Forbes thekson se shqetësimet mjedisore lidhur me resortet e planifikuara në ishullin e Sazanit dhe në zonën bregdetare të Zvërnecit kanë tërhequr tashmë vëmendjen e Komisionit Evropian.
Sipas revistës, zyrtarët e Brukselit kanë konfirmuar se i kanë shprehur shqetësime qeverisë shqiptare për përputhshmërinë e projektit me standardet mjedisore që duhet të plotësojnë vendet kandidate për anëtarësim në BE.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Çështjet e Zgjerimit, Guillaume Mercier, deklaroi se Brukseli po monitoron nga afër zhvillimet në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë dhe ka ngritur shqetësime për mangësi të mundshme të projektit.
“Shqipëria duhet të përmbahet nga veprime që mund të minojnë përmbushjen e standardeve përmbyllëse”, citohet të ketë thënë Mercier.
Artikulli kujton se Komisioni Evropian ka ngritur më herët shqetësime edhe për ndryshimet ligjore të bëra në vitin 2024, të cilat lehtësuan zhvillimin e projekteve turistike në zona të mbrojtura.
Forbes thekson se Shqipëria duhet të harmonizojë plotësisht legjislacionin e saj me direktivat evropiane për mbrojtjen e shpendëve dhe habitateve natyrore, si pjesë e detyrimeve për mbylljen e Kapitullit 27 për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë shqetësimet se projekti bie ndesh me standardet evropiane, duke deklaruar se zhvillimi do të respektojë të gjitha kërkesat mjedisore dhe se do t’i nënshtrohet një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis.
“Do të jetë një projekt i bukur dhe ne do ta realizojmë”, citohet Rama nga Reuters.
Artikulli vëren gjithashtu se projekti është ende në faza të hershme dhe mund të duhen deri në dhjetë vjet për përfundimin e tij.
Ndërkohë, kundërshtimet ndaj investimit janë rritur javët e fundit, me protesta në Shqipëri dhe jashtë vendit, ndërsa SPAK po zhvillon një hetim lidhur me procedurat që kanë shoqëruar projektin.
Sipas Forbes, Shqipëria synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian rreth vitit 2030, por çdo zhvillim që prek standardet mjedisore mund të vendoset nën vëzhgimin e institucioneve evropiane.