... Nami.al

Berisha ndryshon mendim për protestat: E mbështesim këtë lëvizje të fuqishme, s’ju kam kërkuar demokratëve që të mos marrin pjesë në protestë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me debatet e krijuara rreth qëndrimit të opozitës ndaj protestës qytetare kundër projektit në Zvërnec, duke theksuar se PD mbështet plotësisht protestuesit dhe pesë kërkesat e paraqitura prej tyre.

Në reagimin e tij, Berisha thekson se Partia Demokratike ka dënuar që në fillim, sipas tij, dhunën ndaj protestuesve në Zvërnec, si dhe mënyrën e trajtimit të tyre nga qeveria.

“Partia Demokratike që në fillim ka deklaruar se dënon me forcën më të madhe dhunën dhe rrëmbimin e protestuesve paqësorë në Zvërnec, epitetet e përdorura nga Edi Rama ndaj tyre dhe rrethimin e fshatit me tela me gjemba, si në kohë pushtimesh”, shkruan Berisha.

Ai sqaron se protesta nuk është organizuar nga PD, por nënvizon se forca politike që drejton e respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe nuk u ka kërkuar asnjëherë anëtarëve apo mbështetësve të saj të mos marrin pjesë në tubime.

Sipas Berishës, Partia Demokratike mbështet largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe i konsideron të drejta kërkesat e protestuesve për shfuqizimin e një sërë ligjesh që lidhen me investimet strategjike, Partneritetet Publiko-Private, Paketën e Maleve, mjedisin dhe trashëgiminë kulturore.

“Partia Demokratike mbështet fuqimisht largimin e regjimit të paligjshëm e narkodiktatorial të Edi Ramës”, shprehet ai në deklaratë.

Berisha argumenton se opozita i ka kundërshtuar prej vitesh këto ligje në Parlament dhe në institucione të tjera, duke shtuar se mbështetja ndaj kërkesave të protestuesve është në përputhje me qëndrimet e mbajtura më herët nga PD.

Në deklaratë, kreu i demokratëve ndalet edhe te çështjet mjedisore, duke renditur një sërë projektesh që sipas tij janë kundërshtuar nga opozita, përfshirë zhvillimet në Butrint, Shebenik, Dajt, Luginën e Drinit dhe Aeroportin e Vlorës.

Njëkohësisht, Berisha thekson se Partia Demokratike nuk është kundër investimeve të huaja në Shqipëri, por kërkon që ato të realizohen në përputhje me legjislacionin vendas dhe standardet ndërkombëtare.

“Partia Demokratike nuk është dhe nuk do të jetë kurrë kundër investimeve të huaja në Shqipëri. Ajo i ka mirëpritur dhe do t’i mirëpresë ato me kushtin e vetëm dhe të panegociueshëm që të bëhen në përputhje të plotë me ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

Në përfundim, Berisha e konsideron mungesën e transparencës së qeverisë për projektin e Zvërnecit si shkakun kryesor të protestave dhe i bën thirrje kryeministrit Rama të heqë dorë nga, sipas tij, gjuha përçarëse ndaj protestuesve.

“Partia Demokratike mbështet plotësisht pesë kërkesat e drejta të përfaqësuesve të Lëvizjes së fuqishme rinore e qytetare dhe i kërkon Edi Ramës të heqë dorë nga kërcënimet, arroganca, përçmimi dhe etiketimet e protestuesve”, deklaron Berisha, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie kujdestare për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.