...
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj deklaratave të eurodeputetit grek Fredi Beleri lidhur me situatën në Zvërnec, duke kundërshtuar përdorimin e termit “Epir i Veriut” dhe duke e akuzuar atë për shtrembërim të historisë dhe fakteve.
Reagimi i Ballës erdhi pas një postimi të Belerit në rrjetet sociale, ku eurodeputeti grek njoftonte për një intervistë në të cilën kishte folur për situatën në Zvërnec dhe për atë që ai e quajti “grekët e Epirit të Veriut”.
Përmes një mesazhi publik në rrjetet sociale, Balla theksoi se Zvërneci ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe se terminologji të tilla nuk kanë vend në debatin aktual politik.
“O zoti Eurodeputet Beleri, Zvërneci është në shtetin që quhet Shqipëri. Termi ‘Epir i Veriut’ ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të njerëzve që përpiqen ta mbajnë gjallë. Prandaj të lutem zbato emërtesat zyrtare që të kërkon Parlamenti Europian,” shkroi Balla.
Më tej, ai nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në respektimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e të drejtës së pronës dhe garantimin e të drejtave të pakicave kombëtare.
“Sa i përket angazhimit të Shqipërisë ndaj shtetit të së drejtës, mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe të drejtave të pakicave kombëtare, të jeni të sigurt se këto për ne janë detyrime kushtetuese, ligjore dhe angazhime europiane,” u shpreh ai.
Balla akuzoi gjithashtu Belerin se po përdor çështjen për qëllime politike.
“Mos bëj politikë duke shtrembëruar fakte dhe historinë,” shtoi ai.
Në fund të reagimit të tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së deklaroi se debati do të vijojë në institucionet europiane.
“E vazhdojmë në Strasburg muajin tjetër këtë diskutim për gjithçka bëjmë ne për pakicën shumë të respektuar greke në Shqipëri,” përfundoi Balla.
Polemikat mes zyrtarëve shqiptarë dhe eurodeputetit Fredi Beleri janë intensifikuar ditët e fundit pas debatit të krijuar rreth protestave dhe incidenteve të regjistruara në Zvërnec, çështje që është ngritur edhe në institucionet e Bashkimit Europian.