... Nami.al

“Në spital pështynte gjak”, ja çfarë deklaroi kryeplaku i Zvërnecit për protestuesin që u tërhoq zvarrë!

Ditën e djeshme me 30 maj u mbajt protesta e banorëve të Zvernecit, të cilët kundërshtojnë rrethimin e zonës Pishë-Poro Nartë nga kompania e ndërtimit “Zvërnec South Adriatic Development”.

Tensionet e para nisën pasi një nga protestuesit u tërhoq brenda rrethimit dhe më pas u godit me grusht nga rojet private. Po ashtu ai u tërhoq zvarrë disa kilometra, duke humbur dhe ndjenjat.

Kostaq Konomi, kryeplaku i Zvërnecit i cili ishte prezent në protestë tha për BIRN se protestuesi u godit para se të humbte ndjejat dhe se pas lirimit të tij, pështynte gjak.

“E qëlluan në fyt dhe humbi ndjenjat. Në spital pështynte gjak,” tha Konomi.

Në njoftimin zyrtar, Policia e Vlorës raportoi se njëri prej protestuesve ka hyrë me forcë në brendësi të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjës të sigurisë private.

“Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet.”, njoftonte policia.

Çfarë po ndodh aktualisht në Zvërnec?

Gjatë ditëve të fundit e gjithë vëmendja ka qenë te hapësira mes lagunës së Nartës dhe zonës bregdetare të Zvërnecit.

Zona është rrethuar me tela, ku pas tyre shtrihet një kantier ndërtimi, me kamionë të rëndë të ngarkuar me inerte dhe mjete të tjera të cilat po operojnë në terren.

Bëhet fjalë për një zonë, ku raportohet ndërtimi i një projekti të madh turistik nga investitorë të huaj.

Në këto kushte dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërive civile, PPNEA, AOS dhe grupit ‘Shpëto Vlorën’, më 16 maj protestuan para gardhit rrethues, duke denoncuar dëmtimin e zonës së mbrjotur.

Sipas aktivistëve dhe banorëve, hyrja në zonë është kufizuar dhe territori është rrethuar me tela me gjemba, ndërsa mungon transparenca mbi subjektet që po kryejnë punimet dhe natyrën e projekteve në zhvillim.

Ata theksojnë gjithashtu mungesën e tabelave informuese dhe komunikimit institucional me komunitetin. Protestuesit paralajmërojnë se projekti i paralajmëruar si një zhvillim turistik mund të shndërrohet në një transformim masiv urban që rrezikon zhdukjen e habitatit natyror.

Kush po ndërton?

Punimet po zhvillohen nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka përfituar dy leje zhvillimi për ndërtimin e një resorti turistik masiv gjatë vitit 2025, por këto leje nuk janë bërë ende publike.

Projekti lidhet me një investim të prezantuar më herët në media ndërkombëtare dhe parashikon ndërtimin e mijëra njësive akomoduese në një zonë që ndan lagunën e Nartës nga deti Adriatik.