...
Partia Socialiste në Durrës feston sot 35-vjetorin e themelimit të saj përmes një ceremonie ku janë zhvilluar një sërë aktivitetesh artistike, janë mbajtur fjalime dhe janë ndarë edhe çmime.
Fjala hapëse u mbajt nga drejtuesi i Partisë Socialiste të Durrësit, Blendi Klosi, i cili tha se “për 35 vite, kjo parti i ka shërbyer Shqipërisë nga dita e themelimit në ditën e Integrimit”.
Sipas tij, për këtë arsye të gjithë socialistët duhet të ndihen krenarë. Klosi shtoi se me Edi Ramën në krye, PS do të vijojë të fitojë “derisa ta çojmë Shqipërinë në BE”.
Ndërsa vetë kryeministri Rama, njëkohësisht kryetar i PS, u ndal tek zhvillimi i Konferencës së radhës Ndërqeveritare, e cila mbahet të martën e 26 majit.
“Nesër do të vuloset përmbyllja e fazës hyrëse dhe hapja e fazës përmbyllëse të negociatave për anëtarësimin në BE“, tha Rama.
Ai shtoi se konferenca e nesërme zhvillohet ekzaktësisht sipas kalendarit të paravendosur me BE-në, me synimin e përbashkët që “negociatat e anëtarësimit të mbyllen brenda vitit 2027!
Sipas kryeministrit, Shqipëria sot ndodhet më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Madje shtoi se nuk ka forcë tjetër në vend që ka forcën ta arrijë këtë.
“Shqiptarët dëgjuan çfarë nuk dëgjuan nga ata që nuk duan ta shikojnë Shqipërinë në BE, nëse në BE Shqipërinë e anëtarëson Partia Socialiste e Shqipërisë. Por, duan apo s’duan ata që s’duan, Shqipërinë në BE do ta anëtarësojë PS! Dhe duan apo nuk duan ata që nuk duan, nuk ka asnjë forcë tjetër në Shqipëri që të ketë fuqinë, vullnetin, kurajon dhe përkushtimin dhe, mbi të gjitha, të ketë vizionin e PS-së”, shtoi ai.
Mes të tjerash, kreu i qeverisë ndau dhe lajmin se së shpejti do të ketë një takim me kancelarin gjerman Fredrich Merz.
“Pas disa ditësh do ju çoj si përshëndetje, një informacion të detajuar nga takimi që do të kem me kancelarin e Gjermanisë. Do ma falni vanitetin, por kjo është një pjesë që më argëton pak me ta, është se ata i bien grepit po njësoj, s’kanë nevojë për karrem. Thonë e këputët, por e gjejnë vetë veten në grep”, tha mes të tjerash Rama, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se ka një rënie të marrëdhënieve të kryeministrit shqiptar me qeverinë gjermane.
Ndërsa sa i takon opozitës, Rama nuk u kursye duke e krahasuar me një “mbeturinë të komunizmit në formën e vet më të rëndësishme!”