...
Një 43-vjeçar që mbante armë zjarri në banesë është arrestuar ditën e sotme pas një aksioni.
Policia e Fierit bëri me dije se finalizoi operacionin e koduar “No Guns 2”, (Pa armë), për goditjen e armëmbajtjes pa leje.
I arrestuari është Vasil Osmani, ndërsa u sekuestruan dy automatikë pa leje “Kallashnikov” dhe municione.
Ndërhyrja u krye në fshatin Levan, pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative.
Armët u dërguan në Laboratorin e Policisë Shkencore për ekspertim, për të zbuluar nga analiza balistike nëse janë përdorur në krime të mëparshme.
Njoftimi i Policisë Fier:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të planit të masave për kontrollin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri ose i mbajnë ato pa leje në banesë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, finalizuan operacionin policor të koduar “No Guns 2”.
Në kuadër të këtij operacioni u kap dhe u arrestua një shtetas 43 vjeçar, banues në fshatin Levan, Fier.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri tip kallashnikov, si dhe municion luftarak, të cilat ai i posedonte pa leje.
Armët e zjarrit do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur ose jo në ngjarje të mëparshme kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak.