...
Turqia u përfshi në operacione speciale për rikthimin e aktivistëve humanitarë të flotës Sumudt të cilët prej 48 orësh mbaheshin në Izrael nga forcat e sigurisë pasi u kapën 450 larg brigjeve të Gazës të Hënën teksa ishin drejtuar bllokadës detare për të dërguar ndihma humanitare.
3 avionë të Turkish Airlines morën nga porti Ramon i Izraelit qindra aktivistë dhe po i dërgojnë drejt Turqisë, mes tyre edhe shqiptari Baki Goxhaj.
Shqiptari do të pritet në Stamboll nga konsullata shqiptare atje dhe më pas do të përcillet për në Shqipëri.
Lajmi u konfirmua nga Ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan që saktësoi se operacionet erdhën pas asaj që e cilësoi ndërhyrje të paligjshme kundër Flotiljes Globale të Lirisë nga Izraeli.
“Si pasojë e ndërhyrjes së paligjshme ndaj Flotës Globale “Sumud”, po punojmë së bashku me të gjitha institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë që po mbahen dhe kthimin e tyre të sigurt në vend. Me fluturimet e posaçme që do të organizohen sot, planifikojmë të sjellim në Turqi qytetarët tanë, si edhe aktivistë nga vende të treta. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë dhe të përmbushim përgjegjësinë tonë humanitare ndaj civilëve në Gaza, ndërsa do të vijojmë me vendosmëri mbështetjen për popullin palestinez”, shkroi ai.
Izraeli ndaloi mbi 40 anije të hënën në ujërat ndërkombëtare pranë Qipros dhe ndaloi të paktën 430 aktivistë në bordet e anijeve. Mes tyre ishte edhe aktivisti shqiptar Baki Goxhaj.
Ndalimi i aktivistëve të flotës humanitare global Sumud ngjalli indinjatë të thellë botërore sidomos pas të mërkurës kur Ministri izraelit për sigurinë kombëtare Ben Gvir shpërndau pamje skandaloze në rrjetet e tij sociale, ku dukeshin aktivistët e keqtrajtuar dhe ku vetë ministri tallej me ta.