... Nami.al

PS e PD konsensus: Kreu i SPAK s’raporton më në Kuvend, por te komisioni ‘Xhafaj’!

Parlamenti i rikthehet traditës së miratimit me konsensus politik të rregullores. Pasi javën e shkuar, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ranë dakord për një tekst të përbashkët të rezolutës për integrimin europian të vendit, palët arritën të gjejnë gjuhën mes tyre edhe për ndryshimet në rregullore.

Në dakordësinë e arritur gjatë së mërkurës, në prag të seancës parlamentare të kësaj të enjte, propozimet e socialistëve pësuan ndryshime në shumë nga pikat e kundërshtuara nga opozita, që nga raportimi i institucioneve të pavarura, te votimi në komisionin e etikës për përjashtimet, mbyllja e seancave në orën 22:00, ndërsa komisionet parlamentare mbeten 11, duke mos ndryshuar.

Raportimi i institucioneve të pavarura në parlament, ka qenë një ndër pikat më të debatuara. Socialistët kishin propozuar shmangien e plotë të raportimeve në seancë plenare duke e kufizuar këtë vetëm për në komisionet parlamentare.

Por gjatë negociatave, palët kanë rënë dakord që institucionet të cilat duhet të bëjnë bilancin e tyre vjetor, në sallën e Kuvendit, të kufizohen, me vetëm ato për të cilat në kushtetutë thuhet shprehimisht se duhet të raportojnë në seancë.

Me këtë ndryshim, në sallën e parlamentit do të duhet të japin llogari vetëm Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Drejtuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, dhe jo institucione të tjera, siç është SPAK-u.