... Nami.al

“Kjo gjuhë ka dëshmorë pas vetes”, studentët shqiptarë ngrenë sërish “në këmbë” Shkupin

Mijëra studentë shqiptarë dhe qytetarë të Maqedonia e Veriut po protestojnë në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Protesta, e organizuar nga studentë shqiptarë, ka nisur pranë Urës së Gurit dhe po vazhdon me marshim nëpër kryeqytet, nën brohoritje, flamuj kuqezi dhe pankarta me mesazhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe.

“Kjo gjuhë ka dëshmorë pas vetes”, shkruhet në një nga pankartat që po mbajnë protestuesit.

Studentët po kërkojnë zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe po kundërshtojnë mbajtjen e provimit vetëm në gjuhën maqedonase, duke e cilësuar këtë si diskriminim dhe shkelje të të drejtave kushtetuese.

“Kjo që po bëjmë ne është e detyrueshme. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë. Duhet të flitet shqip. Kjo na takon me të vërtetë”, tha një student i Shkencave të Komunikimit gjatë protestës.

Një studente e Fakultetit Juridik në Universitetin “Nënë Tereza” në Kumanovë deklaroi se protesta është organizim i pavarur studentor dhe se aksionet nuk do të ndalen.

“Ne nuk do të dorëzohemi. Është një e drejtë që na takon. Është problem i institucioneve, por me brezin tonë do realizohen shumë çështje që nuk janë realizuar më herët”, tha ajo.

Në protestë po marrin pjesë edhe studentë nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët kanë udhëtuar drejt Shkupit për të mbështetur protestën.

“Studentët në Maqedoninë e Veriut nuk janë vetë, ne jemi këtu për t’i ndihmuar”, tha një student nga Kosova.

Gjatë protestës janë dëgjuar edhe këngë patriotike, ndërsa njëri nga organizatorët deklaroi: “Mos ta mendojë askush që kemi harru, ne nuk e harrojmë kurrë nënë tonë Shqipëri.”

Ndërkohë, mediat lokale raportuan se një grup studentësh nga Shqipëria janë ndaluar nga policia në pikën kufitare të Bllatës, derisa po udhëtonin drejt Shkupit për t’iu bashkuar protestës. Deri tani nuk ka një sqarim zyrtar lidhur me arsyet e ndalimit.

Protesta është organizuar pas refuzimit të kërkesës së studentëve nga ministri aktual i Drejtësisë, Igor Filkov, dhe përbën protestën e dytë të studentëve shqiptarë gjatë këtij viti.

Që nga dita e diel, 17 maj, protesta ka marrë mbështetje nga figura të njohura publike, ndër ta Ramush Haradinaj, këngëtarja Shkurte Fejza, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, si dhe përfaqësues të PDK-së.

Një protestë e ngjashme ishte mbajtur edhe më 6 prill 2026 në Shkup, ku mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë kishin kërkuar respektimin e së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat ligjore. Pas kësaj proteste, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se qeveria ishte duke punuar për një zgjidhje dhe se së shpejti do të paraqitej një propozim konkret.

Protestuesit kanë paralajmëruar vazhdim të aksioneve nëse institucionet nuk reagojnë ndaj kërkesave të tyre.