...
Programuesi dhe eksperti i njohur i IT-së, Genti Progni, qëndroi për rreth gjashtë orë përpara grupit hetimor dhe prokurorëve të SPAK këtë të hënë.
Ai u paraqit në institucion gjatë paradites së sotme, në kuadër të hetimeve që lidhen me skemën e dyshuar kriminale në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Në dalje nga ambientet e SPAK, Progni nuk preferoi të japë detaje lidhur me dëshminë e tij apo me çështjen që po hetohet, duke u shprehur shkurtimisht se bëhet fjalë për sekret hetimor.
“Është sekret hetimor realisht dhe nuk mund të jap asnjë deklaratë për momentin. Unë jam ndoshta dhe si kallëzues dhe si person në hetim. Nuk do doja sot të jepja, jam dhe pak i lodhur”, tha ai.
Progni është ndër personazhet publik që ka denoncuar vazhdimisht abuzimin me tenderat dhe favoret që u jepeshin disa biznesmenëve të lidhur me kupolën drejtuese të institucionit, edhe përpara se atje të mësynte SPAK.
Një hetim i gjerë i Prokurorisë së Posaçme, i zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, zbuloi një skemë të dyshuar kriminale të manipulimit të tenderave publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, përmes presionit, dhunës dhe heqjes së paligjshme të lirisë.
Sipas SPAK, hetimi çoi në caktimin e masave të sigurisë për tetë persona, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mes personave ndaj të cilëve u vendosën masa janë edhe Mirlinda Karçanaj, drejtuese e AKSH-it dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi.
Në qendër të hetimit janë edhe Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.