... Nami.al

Qindra kilogramë drogë me valixhe nga Meksika në aeroportin e Manchester-it: Dënohen me 40 vite burg dy korrierët shqiptarë

Katër anëtarë të dy grupeve të organizuara kriminale, mes tyre dy shqiptarë, janë dënuar në Britaninë e Madhe për një operacion të sofistikuar kontrabande kokaine përmes Aeroportit të Manchesterit. Në këtë operacion të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), u zbulua një rrjet i cili sillte sasi të mëdha droge nga Meksika në Britaninë e Madhe.

Shqiptarët e dënuar janë Elton Hallaçi, 32 vjeç dhe Artur Iseberi, 27 vjeç, të cilët sipas autoriteteve ishin pjesë e grupit që merrte drogën në aeroport dhe e shpërndante më pas në rrjetet kriminale në të gjithë vendin. Bashkë me ta u përfshinë edhe dy britanikët Dale Hosker, 49 vjeç, dhe Dale Creen, 35 vjeç.

Gjykata e dënoni Elton Hallaçin me 21 vite e 7 muaj burg, ndërsa Artur Iseberi u dënua me 18 vite burg.

Sipas hetimeve, katër të dënuarit merrnin ngarkesat e kokainës nga korrierë amerikanë që mbërrinin në Britani nga Kankuni i Meksikës.

Në maj të vitit 2024, tetë valixhe me kokainë mbërritën në Aeroportin e Manchesterit, kurse korrierët vepronin sipas udhëzimeve të një personi të identifikuar si “Nate”. Një prej valixheve u la pas në aeroport, çka ngriti dyshimet e oficerëve kufitarë. Gjatë kontrollit u zbuluan 20 pako me nga një kilogram kokainë secila. Hetimet e mëtejshme të NCA-së zbuluan se grupi i shqiptarëve kishte marrë rreth 100 kilogramë drogë nga kjo ngarkesë.

Vetëm pak javë më vonë, një tjetër operacion kontrabande u zbulua nga autoritetet, ku 300 kilogramë kokainë me pastërti të lartë, me vlerë rreth 24 milionë paund, u futën në Britani përmes 12 valixheve. Gjatë kontrolleve në banesën e Elton Hallaçit, hetuesit gjetën çelësa të një automjeti tip Jaguar, brenda të cilit ishte ndërtuar një hapësirë e fshehtë profesionale për transport droge.

Po ashtu, u sekuestruan blloqe shënimesh me të dhëna të detajuara për importet e drogës, të shkruara në gjuhën shqipe dhe me gjurmë gishtash të Hallaçit dhe Iseberit.

Autoritetet britanike e cilësuan rastin si një nga operacionet më të mëdha të zbuluara vitet e fundit në trafikun e kokainës drejt Europës.