...
Java e fundit e kampionatit gjerman të futbollit ka përcaktuar verdiktet përfundimtare për sa u përket trofeve, zonës evropiane dhe mbijetesës.
Skuadra e Bayern Munich, e cila kishte siguruar titullin kampion disa javë më parë nën drejtimin e Vincent Kompany, e mbylli sezonin me një fitore të thellë 5-1 ndaj Koln në “Allianz Arena”.
Me një total prej 122 golash në Bundesligë, skuadra bavareze vendosi gjithashtu një rekord të ri europian! Ky rekord mbahej më parë nga Real Madrid (121 gola në sezonin 2011-2012). Bayern Munchen bëhet kështu rekordmeni europian për golat e shënuar në një sezon, në kampionat.
Pas këtij suksesi të fundit, bavarezët e përfunduan rrugëtimin e tyre në kuotën e 89 pikëve të grumbulluara.
Ndërkohë, Borussia Dortmund arriti gjithashtu të merrte një rezultat pozitiv, duke triumfuar në transfertë me shifrat 0-2 përballë Werder Bremen.
Pavarësisht humbjes së pësuar në javën përmbyllëse me rezultatin 4-1 kundër Freiburg, Leipzig arriti të ruante vendin e tretë në klasifikim.
Ky pozicionim i garanton këtij ekipi pjesëmarrjen në Champions League. Në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube do të luajë edhe Stuttgart, pas barazimit 2-2 të regjistruar ndaj Eintracht Frankfurt.
Për sa i përket Europa League, Gjermania do të përfaqësohet nga Hoffenheim, që u mposht 4-0 nga Borussia Monchengladbach, dhe Leverkusen, që barazoi 1-1 me Hamburgun.
Ndërkaq, fitorja e thellë në ndeshjen e fundit e dërgon skuadrën e Freiburg në Conference League për edicionin e ardhshëm.
Në fundin e tabelës, St Pauli dhe Heidenheim nuk ia dolën të mbijetonin dhe ranë zyrtarisht në Bundesliga 2. Nga ana tjetër, Wolfsburg do të ketë edhe një mundësi të fundit për të qëndruar në elitë përmes fazës “play out”.