... Nami.al

Detaje të reja nga vdekja e 60-vjeçarit në Maliq, flet vëllai

Zbardhen detaje të reja lidhur me vdekjen e 60-vjeçarit që u gjet pa shenja jete në banesën e tij në fshatin Zëmblak, në bashkinë Maliq.

Sipas burimeve, viktima jetonte i vetëm dhe dyshohet se kishte disa ditë që kishte ndërruar jetë në banesë, përpara se të konstatohej nga familjarët.

Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa autoritetet po presin rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Policia e Shtetit ka nisur hetimet për rrethanat e ngjarjes, ndërsa zona është marrë në administrim për verifikime të mëtejshme.

Në dëshminë e tij, vëllai i viktimës, Ylber Mullalli, ka treguar se 60-vjeçari jetonte i vetëm, ndërsa fëmijët e tij ndodheshin jashtë vendit.

“Jetonte vetëm. Djali është në Tiranë, ndërsa vajza e martuar jeton në Selanik”, u shpreh ai.

Sipas tij, familjarët nuk kishin dijeni se prej sa ditësh kishte ndërruar jetë i ndjeri, ndërsa lajmin e kanë marrë vetëm pas njoftimit nga të afërmit.

“Unë erdha në mëngjes nga Tirana, më njoftuan të tjerët”, tha ai.

Vëllai i viktimës shtoi gjithashtu se i ndjeri vuante nga probleme shëndetësore dhe ishte me KEMP, ndërsa gjendja e tij ishte rënduar edhe për shkak të konsumit të alkoolit.

“Vuante nga zemra, ishte me KEMP, por më shumë e kishte nga alkooli”, deklaroi ai.

Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.