... Nami.al

AMP aksion në Sarandë, priten arrestime policësh, për çfarë dyshohen  

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur sot një operacion në Sarandë, Ksamil dhe zonat e tjera.

Bëhet fjalë për hetime në lidhje me përfshirjen e efektivëve të policisë në favorizime, sa i përket ndërtimeve pa leje.

Në pranga ka rënë një oficer i policisë gjyqësore

Burimet bëjnë me dije se priten arrestime në Komisariatin e Sarandës.

Vetëm dy ditë më parë, me kërkesë të Prokurorisë së Sarandës u sekuestrua një sipërfaqe pa leje e një hoteli.

“Me kërkesë tê Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, u vendos masa ‘Sekuestro preventive’ për sipërfaqen me përmasa 22.9 m x 13.4 m x 3.5 m, ndërtuar mbi tarracën e objektit ekzistues i emërtuar si “Hotel Oasis”, 6  kate në lagjen nr. 1, Bashkia Sarandë, në emër të shtetasit A.P”, njoftonte Prokuroria.

Ndërtimet ishin kryer nga 2025 deri në 2026.

“Veprimet ndërtimore rezultojnë të jenë kryer në mënyrë graduale, të paktën nga periudha para datës 12.05.2025 dhe në vijim deri më 31.03.2026 datë në të cilën gjatë inspektimit të ekspertit u konstatua se objekti kishte arritur fazë të avancuar përfundimi, përfshirë fasadën e jashtme dhe vetratat në pjesën ballore”, thuhej në njoftim.