...
Eksperti rrugor Fatmir Hasho ka sugjeruar përdorimin e policisë civile lëvizëse dhe masa më të forta për kontrollin e qarkullimit në rrugët e vendit. Sipas tij, mund të vendosen mjete të policisë por pa shenjat dhe logot e “bluve”, që të kapin shkeljet në kohë reale.
“Është zbehur roli i policisë në rrugë. Me gjithë këtë teknologji kemi mundësi t’i kapim para se të ndodhi ngjarja. Unë kam rekomanduar të ashtuquajturën polici lëvizëse. Makinë apo motor policie, por jo me shenjat e policisë, të jetë në rrugë dhe të kapë në kohë reale shkeljet rrugore. Monopotinat të jenë të regjistruara, të mos përdoren mbi 16 vjeç, të lejohen deri në një shpejtësi të caktuar dhe në rrugë të caktuara. Është krijuar një lloj ideje që këtu është një vend që mund të bësh diçka jashtë rregullave. Nuk shkon. Rregullat nuk është se nuk i kemi, por s’i zbatojmë. Nuk është mbushja e arkës së shtetit qëllimi kryesor! Gjoba duhet të jetë ndërgjegjësuese, jo të mbushë arkën e shtetit”, u shpreh Hasho në emisionin “Dita Jonë”.
Eksperti rrugor theksoi gjithashtu nevojën për më shumë edukim rrugor në shkolla dhe standarde më të forta në Autoshkolla.
“Duhet një orë mësimi në të gjithë sistemin shkollor për edukatën rrugore. E dyta Autoshkollat duhet të punojmë më fort për dhënien e lejes së drejtimit, dhe e treta më e rëndësishmja, ne vet duhet të ndërgjegjësohemi. Celulari është bërë një e keqe që po na shkakton përveç aksidenteve edhe vonesa në trafik. Deri në 21 vjeç të ketë terrene ku drejtuesit e mjeteve të bëjnë një trajnim ekstra për të qenë sa më të sigurt në timon”.