... Nami.al

Mbeti i plagosur nga përplasja me armë në Sarandë/ Kostandin Vogli: Konflikti ka nisur për ndarjen e të ardhurave të biznesit

Kostandin Vogli, 31-vjeçari i cili mbeti i plagosur me armë zjarri gjatë konfliktit mbrëmjen e 7 majit në “Gjashtë” të Sarandës dhe u vra Rexhep Ismaili, ka zbardhur detaje të reja rreth ngjarjes pasi vetëdorëzimit në polici.

Sipas tij, konflikti mes palëve kishte nisur prej kohësh dhe kishte në qendër një mosmarrëveshje për një biznes “beach bar-i” mes tij dhe Tori (Viktor) Ruçit.

Vogli ka deklaruar se situata mes tyre ishte tensionuar më herët, pasi sipas tij, gjatë kohës që ai ndodhej i arrestuar, Ruçi kishte nxjerrë vëllain e tij nga aktiviteti tregtar, duke thelluar përplasjet mes tyre.

“Pasi u burgosa, Ruçi nxori vëllain tim nga biznesi. Konfliktet tona nisën për paratë e biznesit”, mësohet të ketë thënë Vogli në dëshminë e tij.

Ai ka shtuar gjithashtu se natën e ngjarjes kishte shkuar në lokalin në pronësi të Rexhep Ismailit për t’u sqaruar me palën tjetër, por situata ka dalë jashtë kontrollit, duke përfunduar në përplasje fizike e më pas në përplasje me armë.

Si pasojë e konfliktit, mbeti i vrarë Rexhep Ismaili, ndërsa Kostandin Vogli u plagos, por u arratis bashkë me 6 persona të tjerë, ndërsa ditën e djeshme, 8 maj, u vetëdorëzua.

Ndërkohë, ende në kërkim janë: Lulzim Tabaku, 37 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”; Idriz Çela, 40 vjeç, Eljo Muço, 19 vjeç, Kostandin Vogli, 31 vjeç (i vetëdorëzuar), Marjo Agalliu, 22 vjeç dhe Ermal Shkalla, 21 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Dinamika e ngjarjes 

Sipas deklaratës zyrtare nga polica, Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, kanë shkuar në lokalin e Rexhep Ismailit dhe janë drejtuar te tavolina ku ndodheshin shtetasi Tori Ruçi i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta me këta shtetas.

Gjatë përplasjes, viktima Rexhep Ismaili dyshohet se ka qëlluar me armë automatike ndaj grupit të Tabakut, ndërsa më pas është qëlluar me pistoletë nga ky i fundit, duke humbur jetën në vend.

Nga të shtënat ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi Kostandin Vogli, i cili është vetëdorëzuar ditën e sotme në polici dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet është zbuluar se vëllai i viktimës, Hajredin Ismaili, i cili është proceduar penalisht, ka fshehur armën zjarri automatike me të cilën qëlloi vëllai i ndjerë, së bashku me municion, e cila më pas është sekuestruar nga policia.