...
Një rast i rëndë është regjistruar ditën e sotme në zonën e Belshit, ku një drejtues mjeti që transportonte nxënës është konstatuar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Sipas njoftimit të Policisë, ndërhyrja erdhi pas një telefonate të bërë nga një qytetar në sallën operative të Cërrikut.
Menjëherë, shërbimet e Postës së Policisë Belsh, në bashkëpunim me patrullën e Komisariatit Cërrik, organizuan kontrollin dhe bënë të mundur ndalimin e mjetit tip “Benz Sprinter” me targa AA198FR, që po qarkullonte në aksin Belsh–Gjolene.
Në drejtimin e mjetit ishte shtetasi Sazan Jashar Gjolena, 53 vjeç, banues në Gjolene, i cili transportonte 13 nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri”.
Pas verifikimeve përkatëse, policia i nënshtroi drejtuesit të mjetit testit të alkoolit në dy prova, të cilat rezultuan përkatësisht 0.68 mg/l dhe 0.67 mg/l, duke konfirmuar se ai ishte në gjendje të dehur.
Menjëherë pas konstatimit, drejtuesi i mjetit u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, policia mori masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e nxënësve, duke organizuar transportin e tyre me një mjet tjetër të transportit publik.
Autoritetet apelojnë për përgjegjësi maksimale nga drejtuesit e mjeteve, veçanërisht kur bëhet fjalë për transportin e fëmijëve.