... Nami.al

Babai i njërit prej të miturve që humbi jetën në Durrës, i sëmurë me kancer: Po mjekohej në Itali kur mori lajmin e rëndë të humbjes së djalit

Detaje tronditëse kanë dalë nga aksidenti i rëndë që u regjistrua rreth orës 14:20 në lagjen nr. 15 të qytetit të Durrësit këtë të diel, ku 57-vjeçari Nikoll Radaçi, i cili po lëvizte me shpejtësi të lartë me mjetin e tij, përplasi tre të mitur që po luanin në lagjen e tyre.

Si pasojë e përplasjes së shkaktuar nga makina që drejtohej nga 57-vjeçari i dehur, dy 10-vjeçarë humbën jetën, ndërsa i treti është transportuar në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Mësohet se ngjarja bëhet edhe më e rëndë për shkak të rrethanave në të cilat ndodhet familja e njërit prej të miturve që humbi jetën.

Sipas mediave, të dy prindërit e tij e kanë marrë lajmin e kobshëm nga Italia, pasi babai i 10-vjeçarit është i sëmurë me kancer dhe po merrte mjekim atje.

Nga ana tjetër, banorët e zonës kanë hedhur akuza ndaj Nikoll Radaçit, i cili, sipas tyre, ishte një person problematik që shpeshherë kryente manovra të rrezikshme në rrugë dhe konsumonte alkool.

Gjithashtu, ata bëjnë me dije se djali i cili mbeti i plagosur është kushëri me njërin prej dy viktimave.