...
Policia vijon operacionet kundër lojërave të fatit të paligjshme, ndërsa këtë të shtunë është zbuluar një tjetër rast në Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Fati i Lojërave”.
Gjatë kontrolleve në një lokal në rrugën “Kajo Karafili”, është konstatuar se ambienti ishte përshtatur për zhvillimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, përmes makinetave elektronike dhe tavolinave të pokerit.
Si rezultat i operacionit, janë sekuestruar 4 makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri si dhe sende të tjera që dyshohet se përdoreshin për këtë aktivitet të paligjshëm ndërsa është arrestuar administratori i lokalit, 38-vjeçari Fabion Karkanaqe, banues në Tiranë.
Sipas policisë, kontrollet në kuadër të këtij operacioni vijojnë në subjekte dhe ambiente të ndryshme, me qëllim goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë
Tiranë/Vijon operacioni i koduar “Fati i Lojërave”.
Zbulohet një tjetër rast i përshtatjes së lokalit për zhvillimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, me makineta dhe tavolina pokeri.
Sekuestrohen 4 makineta për lojëra fati, tavolina për lojën “Poker”, si dhe sende të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Arrestohen administratori i lokalit.
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të përshtatjes së lokalit për zhvillimin e lojërave të fatit, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit të koduar “Fati i Lojërave”.
Si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi F. K., 38 vjeç, banues në Tiranë.
Në rrugën “Kajo Karafili” në lokalin në administrim të 38-vjeçarit, u gjetën 4 makineta që përdoreshin për lojëra fati, tavolina pokeri dhe sende të tjera që dyshohet se shërbenin për organizimin e lojërave të fatit.
Kontrollet kundër kësaj veprimtarie të paligjshme vijojnë në subjekte dhe ambiente të ndryshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.