...
Skandaloze! Kështu mund të quhet raundi i 34-t i Superligës shqiptare të futbollit, me të pesta ndeshjet që u zhvilluan këtë të shtunë. Edhe pse në një orar, nuk munguan tolerimet dhe aleancat, për të mos thënë trukimet e një kampionati që është refuzuar nga tifozët.
Një ditë më herët kompanitë ndërkombëtare të basteve kishin nxjerrë koeficientët me skuadrat favorite dhe në fushë ekipet ‘nuk zhgënjyen’. Të gjithë tifozët ishin në pritje nëse maskarada do të vërtetohej dhe askush nuk zhgënjeu.
Sipas kompanive të basteve, fitoren më të sigurt do ta shënonin Flamurtari dhe Vora, ndaj në fushë kështu ndodhi, si diçka e programuar dhe komanduar.
Në stadiumin ‘Arena e Demave’ Partizani u mposht 1-4 nga Flamurtari. Vlonjatëve iu desh raundi i tretë nga fundi për të shënuar për herë të parë katër gola këtë sezon në Superligë, teksa vijojnë të mbajnë vendin e fundit. Siç e parashikonin edhe koeficientët, Flamurtari fitoi, por Partizani humbi tifozët të cilët edhe pas zhgënjimit në derbi dhe ‘thashethemeve’ për tolerim, e kishin braktisur ekipin. Madje ata pak që ishin në stadium lanë banderolat dhe u distancuan nga mbështetja për ekipin.
Estradë edhe në Vorë, me vendasit që fituan 4-2 kundër kryesuesve të AF Elbasanit. Pas fitores në Rrogozhinë një javë më parë, Vora ‘i dha leksion’ edhe AF Elbasanit, në fakt njësoj siç e parashikonin bastet.
Në Shkodër tifozët e Vllaznisë fërshëllyen ekipin e tyre pas humbjes 0-2 kundër Bylisit duke ngritur aludime të forta për tolerime.
Edhe Dinamo fitoi 2-0 kundër Egnatias, me rrogozhinasit që paçka se janë finalistë të Kupës së Shqipërisë, kanë katër ndeshje radhazi që humbasin, konkretisht kundër ekipeve që duan pikë, Tiranës, Flamurtarit, Vorës dhe sot Dinamos në kryeqytet.
Në Durrës, Teuta pësoi humbjen e pestë radhazi duke u mposhur 0-1 nga KF Tirana falë golit të Rimal Haxhiut që u fut në fushë nga stoli.
Superliga, raundi 34:
Dinamo 2-0 Egnatia
Partizani 1-4 Flamurtari
Teuta 0-1 KF Tirana
Vllaznia 0-2 Bylis
Vora 4-2 AF Elbasani